Shkëndija është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat. Ndeshja do të zhvillohet në Tetovë, ndërsa si zakonisht këto ndeshje kanë zgjuar shumë interesim në mesin e futbolldashësve…
Ndeshjet ndaj Shkëndijës gjithnjë kanë zgjuar interesim mes futbolldashësve, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe nesër në stadiumin e qytetit të Tetovës.
Kapiteni Bunjamin Shabani thotë se nesër në Tetovë pret një festë futbolli.
“Ndeshje derbi ndaj një ekipi shumë cilësor. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë interesante dhe festë për gjithë futbolldashësit. Neve si skuadër mund të them se të gatshëm e presim këtë përballje.” – tha fillimisht Bunjamin Shabani.
Një nga futbollistët më të mirë të kampionatit, nesër pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 22-të kundër Shkëndijës. Më shumë ndeshje personale në karrierën e tij, Shabani ka zhvilluar vetëm ndaj Rabotniçkit. Ai ndaj “kuqezinjëve” bga Tetova numëron 6 fitore dhe 2 gola të shënuar.
“Në çdo ndeshje futemi me fokus maksimal. Statistikat në ndeshje të këtilla nuk vlejnë, pasi çdo ndeshje është histori në vete. Ashtu që nesër do të futemi në lojë për të bërë më të mirën, të luajmë lojën tonë të zakonshme, të bëjmë mirë pjesën taktike, ajo që kërkohet nga stafi teknik dhe besoj se në fund rezultati nuk do të mungojë.” – u shpreh Bunjamin Shabani, që beson se me Struga Trim Lum eshe këtë edicion do të luaj në garat europiane.
“Ne jemi profesionistë, do bëjmë më të mirën të mundshme për klubin tonë. Vazhdojmë ti marrim ndeshjet një nga një, pastaj në fund të sezonit do e shohim, nëse do luajmë në Europë. Mendoj se e meritojmë si skuadër të prezantojmë vendin tonë sërish në skenën ndërkombëtare.” – theksoi Shabani.
Kapiteni ynë thotë se pozita momentale nuk është pasqyra reale e Struga Trim Lum. Pikët e humbura në ndeshje ndaj skuadrave më të vogla na kanë kushtuar dhe na kanë penalizuar.
“Nuk mendoj se është kjo pasqyra reale e klubit tonë, bazuar në ekipin dhe emrat brenda që kemi. E filluam mirë kampionatin, kemi luajtur futboll të mirë, por mendoj se kemi gabuar pikërisht në ndeshjet ndaj ekipeve ku ishim favorit. Besoj se me ato pikë të humbura, sot renditja tabelare do ishte më ndryshe.”


















