Zguro mezi pret ndeshjen e së dielës kundër Sileksit

Vangjel Zguro mezi pret ndeshjen e së dielës kundër Sileksit në stadiumin e qytetit në Strugë. Ai është i vetëdijshëm se kjo ndeshje do të jetë e vështirë, por këmbëngul se terreni vendas dhe mbështetja nga tifozët mund të luajë një rol të madh në rezultatin përfundimtarë të takimit.

“Vijmë pas një ndeshje shumë të mirë me Shkëndijën, mirëpo që për fat të keq doli që rezultati të mos jetë në favorin tonë” – thotë fillimisht mbrojtësi i krahut të majtë Vangjel Zguro.

“Ndaj Sileksit do përpiqemi të marrim 3 pikëshin dhe të tregojmë që neve jemi skuadra kampione në fuqi. Mos të harrojmë që kemi edhe një ndeshje më pak, atë kundër Vardarit, ashtu që besoj se do jemi përsëri aty  lartë, mirëpo gjithsesi se njëherë edhe gjithë vëmendja, 100%, është e përqëndruar te ndeshja e së dielës kundër Sileksit. Gjë e mirë gjithashtu është loja e mirë e Struga Trim Lum që po bind, ashtu që besoj se rezultatet do vijnë kur ke lojë të mirë.” – shprehet Zguro.

“Tifozët strugan gjithmonë janë duke u përpjekur të na shtyjnë përpara. Ne e vlerësojmë këtë gjë shumë, sepse na ndihmon shumë sidomos në momente kur skuadra ka momente të vështira” – vijoi Zguro, i cili nesër kundër Sileksit pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 15 zyrtare me petkun e Struga Trim Lum.