Fitore minimale 1:0 ndaj Rabotniçkit në ndeshjen e vlefshme të javës së 8-të, që e zhvilluam para tifozëve tanë…..
Struga Trim Lum ka regjistruar fitore minimale, por më se të merituar përballë Rabotniçkit në ndeshjen e vlefshme të javës së 8-të, në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut.
Rezultati përfundimtarë doli të jetë 1:0, gol ky që erdhi në fillimin e pjesës së dytë, edhe pse shumë lehtë mund të ndodhte që një gjë të tillë të bënim edhe gjatë 45 minutave të para.
Rastin më të mirë në këtë pjesë, e pati sulmuesi ynë kryesor, Besart Ibraimi, i cili në minutat shtesë të pjesës së parë humbi një penalti.
Megjithatë kjo nuk ndikoi shumë në harmonizimin e skuadrës tonë gjatë pjesës së dytë, ndërsa tregues më i mirë është goli i shënuar vetëm pas 5 minutave lojë në këtë pjesë.
Mexhit Neziri nga krahu i djathtë i mbrojtjes me një pasim të gjatë dhe të saktë gjeti në gjysmëfushën kundërshtare Besart Ibraimin, i cili u vërsul drejt zonës kundërshtare, aty ku pasoi mu në kohën e duhur për Bekim Kamberin, që nuk fali dhe në ato momente shënoi për 1:0.
Për Kamberin e ardhur këtë merkato nga Danimarka, ishte ky goli i parë me fanellën e Struga Trim Lum, që sigurisht që do e mbajë mend gjatë kohë.
Ndryshe ishte kjo hera e parë për Kamberin që e nisi si titullarë me skuadrën tonë, për të cilën kishte debutuar që në ndeshjen me AP Brera, kur ishte inkuadruar në lojë në 12 minutat e fundit të takimit.
MINUTAT E PARA PËR COMPAORE
Minutat e para në takimin e sotëm i regjistroi edhe sulmuesi nga Burkina Faso, Bassirou Compaore. Ky i fundit skuadrës tonë iu bashkua vetëm pak ditë para ndeshjes me Bregallnicën në Shtip. Në atë ndeshje, edhe pse ishte në bankinë, nuk morri besimin e trajnerit Duro. Ndërkohë sot Compaore në lojë u inkuadrua në minutën e 71-të, kur zëvendësoi Mentor Mazrekajn.
Compaore luan në pozitën e sulmuesit, ai është 25-vjeçar, teksa dy vitet e fundit i ka kaluar në futbollin spanjoll, duke luajtur për skuadrat e kategorisë së tretë dhe të katërt.
RIKTHEHET MALIQI
Pasi pushoi në ndeshjen kundër Bregallnicës në Shtip, Edis Maliqi, është rikthyer për të luajtur. Mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili luan edhe si mesfushor në këtë krahë, në lojë u inkuadrua në minutën e 86-të, kur zëvendësoi Vangjel Zguron.
Mirëpo në takimin e sotëm ndaj Rabotniçkit u vërejtë mungesa e mesfushorit Hristijan Georgievski, i cili do të jetë në disponim të trajnerit Shpëtim Duro në ndeshjen e rradhës që do ta zhvillojmë në mesjavë kundër Voska Sport, por edhe ajo e Besmir Bojkut, i cili për dallim nga Georgievski, për shkak kartonit të kuq në ndeshjen kundër Bregallnicës, ishte suspenduar me dy ndeshje.
Kështu, Bojku do ti mungojë skuadrës edhe në ndeshjen e rradhës.
NGJITEMI NË TABELË
Fitorja e sotme ndaj Rabotniçkit ishte e katërta në sezonin e ri nga gjithsej 5 ndeshje që kemi zhvilluar. Me këtë fitore, neve tashmë numërojmë 12 pikë, duke u renditur në pozitën e 6-të dhe duke lënë pas vetes kundërshtarin e sotëm, Rabotniçkin.
Aktualisht tabela e klasifikimit udhëhiqet nga Shkëndija me 16 pikë, por vlen të theksohet se kjo skuadër ka edhe dy ndeshje më shumë.
NDESHJA E RRADHËS
Ndeshjen e rradhës do ta zhvillojmë në mesjavë kundër Voska Sport. Do të jetë kjo ndeshja e parë zyrtare që do ta zhvillojmë ndaj rivalëve tanë nga Ohri. Kjo ndeshje i takon javës së katërt dhe duheshe të zhvillohet me datë 23 gusht, mirëpo për shkak pjesëmarrjes së skuadrës tonë në ndeshjet europiane, e njëjta ishte shtyrë dhe do të zhvillohet të mërkurën e 27 shtatorit.