Shpëtim Duro flet për Zhalgiris, por edhe përgatitjen e skuadrës

Shorti i hedhur sot në Nion të Zvicrës na e servoi për kundërshtarë ekipin e Zhalgiris nga Lituania. Do të jetë ky kundërshtari ynë i parë në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, aty ku neve si skuadër do të konkurrojmë për herë të parë, për dallim nga ekipi kundërshtarë, që numëron 10 tituj kampion dhe që është thuajse pjesëmarrës për çdo vit në garat europiane.

Zhalgiris edicionin e kaluar eliminoi Ballkanin në këtë fazë garash, për të përfunduar në fund në grupet e Ligës së Konferencës.

Pas shortit të hedhur, morrëm një prononcim nga ana e trajnerit Shpëtim Duro, i cili gjithashtu ka mjaft eksperiencë në garat europiane, aty ku edicionin e kaluar udhëhoqi Laçin.

ZHALGIRIS…..

“Sigurisht që është një skuadër që ka eksperiencë në ndeshjet ndërkombëtare dhe në Ligën e Kampionëve, ndërsa neve jemi vetëm debutues në këtë kompeticion madhështorë. Është një kundërshtarë që e kemi parë sezoin e kaluar që ka eliminuar skuadrën e Ballkanit, por njëkohësisht duhet vlerësuar sepse është skuadër që ka eliminuar edhe Malmon e Suedisë. Pra kjo tregon se Zhalgiris ka jashtëzakonisht shumë cilësi”.

PËRGATITJET…

“Kemi dy javë që po zhvillojmë përgatitjet këtu në Strugë, pasi edhe këtu vërtetë kemi kushte shumë të mira në të gjitha aspektet. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve dhe atë që po tregojnë në seancat stërvitore. Besoj se tashmë ata duhet fillimisht të dëshmojnë cilësitë dhe meritat e tyre përmes ndeshjeve kontrolluese që do të vijnë së pari dhe më pas edhe në ndeshjet zyrtare në Europë”.

MIQËSORET…

Kemi caktuar 3 ndeshje miqësore, edhe atë me Ballkanin, Partizanin dhe Tiranën. Besoj se janë kundërshtarët e duhur, përmes të cilëve mund të shohim edhe formën tonë, por edhe të marrim përgjigjen e gjithë asaj pune që kemi bërë gjatë përgatitjeve”.

SKUADRA, PËRFORCIMET….

“80-90% është skuadra që ka përfunduar kampionatin, kemi marrë 2-3 përforcime, siç janë Mazrekaj, Idrizi dhe sulmuesi shtatëlartë Jaroviç, do të shohim në vazhdimësi, nëse mund të afrohet edhe ndonjë lojtar tjetër që mund të na bëjë punë, por baza e skuadrës është ajo që do të luaj edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve”.