Trajneri Shpëtim Duro do të mbahet mend gjatë kohë në historinë e klubit tonë, pasi i njëjti vuri vulën e parë të titullit kampion, që e kishte nisur Srgjan Zaharievski. Duro drejtimin e Struga Trim Lum e morri me datë 1 mars të vitit 2023, duke udhëhequr skuadrën në plotë 10 ndeshje, 9 prej të cilave në kampionat, ku regjistruam 7 fitore dhe 2 barazime, me një gol-averazh 21:5.
Fitorja e fundit 3:0 ndaj Sileksit bëri që Duro të buzëqesh dhe ti gëzohet titullit të dytë kampion si trajner, pas asaj me Skënderbeun në vitin 2011, dhe të parin me Struga Trim Lum, skuadër kjo që në këtë mënyrë ndërpreu dominimin 15-vjeçar të skuadrave nga Shkupi dhe Tetova, kur janë në pyetje titujt kampion në Ligën e Parë të Maqedonisë.
Si i motivuat futbollistët…
“Sigurisht që skuadra në të gjitha ndeshjet që kemi zhvilluar ka qenë mjaft e motivuar. Ky është profesioni i trajnerit, ku përveç anës teknike, sigurisht që ka edhe elementë të tjera përmes të cilëve duhet ta motivojë skuadrën. Pra edhe aspekti psikologjik, ka shumë rëndësi. Patjetër që skuadra luajti shumë mirë, në të gjitha ndeshjet. Unë e kam thënë janë foto-kopje të njëra tjetrës, skuadra i ka luajtur në nivel të gjitha ndeshjet, jemi skuadër që kemi shënuar rregullisht mbi 2-3 gola dhe kemi pësuar pak. Këto janë ekuilibra që duhet ti ketë një skuadër për tu shpallur kampion”.
Shumë raste dhe vetëm një gol në pjesën e parë ndaj Sileksit…
“Në pjesën e parë skuadra luajti shumë mirë, krijuam raste të panumërta, por sa do që të motivohet një skuadër, ishte edhe ajo pjesa psikologjike, që u refelektua edhe në mosshënimin e golave, por fati i madh që i përhershmi Besart Ibraimi, zgjodhi situatën në fundin e pjesës së parë dhe pastaj çdo gjë ishte e lehtë për ne”.
Titulli i dytë në karrierë kampion dhe i pari në Maqedoni…
“Sigurisht titulli i parë ka qenë me Skënderbeun në vitin 2011-të. Edhe Skënderbeu atë kohë ka qenë në pozitat e Strugës. Titulli i parë ka qenë shumë i rëndësishëm, për atë që tregoi Skënderbeu pas 5-6 viteve, pasi e dimë se ku arriti kjo skuadër. Pra ai titulli i parë ishte shumë i rëndësishëm, njëjtë sikurse edhe për skuadrën e Struga Trim Lum, një skuadër e re, e urritur për trofe”.
Nuk gabuat që pranuat të drejtoni ekipin e Struga Trim Lum…
“Unë e kam thënë, që erdha me besimin e duhur, për të marrë drejtimin e Strugës, sepse e njoh ambientin e futbollit maqedonas, e kam ndjekur thuajse vazhdimisht, pasi ishte edhe historia e ime sa isha trajner i Shkëndijës dhe jam i pari që hapa tregun e shqiptarëve dhe lojtarëve maqedonas në Shqipëri, sidomos në vitin 2014-2015 pata marrë shumë futbollistë te skuadra e Partizanit në Tiranë. Në këtë aspekt e pranova të marrë drejtimin e Strugës, duke pasur parasysh se një pjesë e këtyre futbollistëve i njihja shumë mirë dhe e kisha më të lehtë për të menaxhuar situatën edhe në vazhdim të kampionatit”.
Pjesë e historisë së Struga Trim Lum…
“Është moment, me thënë të drejtën i pabesueshëm, moment historik, kjo nuk diskutohet, por është edhe unik sepse një skuadër që ka 8 vite që ëshë krijuar, tre vite është në Ligën e Parë, të shpallet kampion ndaj rivalëve me traditë si Shkëndija dhe Shkupi, që kanë buxhete shumë, shumë më të larta se Struga Trim Lum, është rast unik, për më shumë që jemi në luftë edhe për trofeun e dytë, atë të Kupës së Maqedonisë. Sigurisht që këto janë parametra që duhet të ketë një skuadër kampione. Kemi qenë shumë kompakt, për sa i përket situatave me portën tonë, skuadrat nuk na kanë rrezikuar si rezultat i kompaktësisë së skuadrës, kemi shënuar gola rregullisht, por edhe kemi pranuar shumë pak, afro 10-11 ndeshje, vetëm 5 gola dhe vetëm 1 gol që na ndikoi negativisht, ai gol i pranuar në fund të takimit me Skopjen na e bëri që neve ta shtyejmë akoma edhe më shumë festën e titullit kampion, por që megjithatë erdhi këtë vit në Strugë”.
Duro i befasur nga puna e drejtuesve…
“Patjetër, jam i befasuar nga mënyra e menaxhimit i gjithë drejtuesve të Struga Trim Lum, duke filluar nga pronari, presidenti, zv.presidenti, drejtori Sportiv dhe Sekretari i klubit, pra është në hallkë që funksionon jashtëzakonisht mirë, ato i bëjnë detyrat e tyre shumë korrekt, ndërsa neve bëjëm detyrën tonë në fushën e lojës.”