RAPORTI I NDESHJES, STRUGA TRIM LUM – AP BRERA 3:1

Dominim absolut në një ndeshje të hapur kundër AP Brera, ndaj së cilës skuadër në fund regjistruam fitore 3:1. Dyshja sulmuese Ibraimi-Radeski, ishin autorë të dy golave, ndërsa një tjetër gol erdhi dhuratë nga Agron Rufati….

Gjithçka që ndodhi sot në stadiumin e qytetit në Strugë:

  • Pjesa e parë dhuroi dy gola, që të dy në rrjetën e mysafirëve
  • Besart Ibraimi në minutën e 33-të nga penaltia kaloi në epërsi skuadrën tonë. Ekzekutimi ishte me shumë klas….
  • Një bombë tjetër, këtë herë e Ibraimit nga gjuajtja e lirë, bëri që Agron Rufati pa dashje të shtyej topin në rrjetën e tij….
  • Pjesa e dytë dhuroi dy gola, nga një në secilën anë, dhe një gol të anuluar për skuadrën e Struga Trim Lum
  • Marjan Radeski shënoi golin e tretë dhe të sigurisë pas një ore lojë, kur mjaft mirë reagoi para portës kundërshtare…
  • Qoshevski para se të mposhtej në minutën e 85-të, kishte disa intervenime të shkëlqyeshme, duke dëshmuar se është një ndër portierët më të mirë në Ligë…

_______________________________________________________________________________________________________________

E cilësuar si një ndeshje e rëndësishme në garën për titullin e kampionit, ne kaluam në epërsi 2:0 menjëherë pas pjesës së parë dhe më pas shfrytëzuam në maksimum forcën dhe cilësitë, që rezultuan edhe me dy gola të tjerë në rrjetën e mysafirëve nga Strumica, mirëpo që njëri prej tyre i realizuar nga Bekim Kamberi, u anulua, për shkak pozitës jashtë loje.

Përkundër kontrollit të lojës që kishim dhe aksioneve të shpeshta pranë portës kundërshtare, deri në golin e parë, u desh të kalojnë 33 minuta të plota.

Një aksion i bukur i filluar nga krahu i majtë, me Krivanjëven që shtyu topin brenda zonës kundërshtare, aty ku fillimisht Radeski kishte kontaktin e parë, që më pas në kontaktin e dytë, Ibraimi të ndalet në mënyrë të palejuar nga portieri kundërshtarë, Marko Alçevski, i cili madje për ndërhyrjen ndaj sulmuesit tonë, u ndëshkua me të verdhë.

Pas dy penaltive të humbura në ndeshjet paraprake, kishte shumë dilema në mesin e tifozëve, që me shumë ndrojtje po përcillnin momentin e ekzekutimit nga Besart Ibraimi, i cili një gjë të tillë bëri me shumë klas, duke shënuar në stilin “panenka”.

Nuk kaloi edhe shumë kohë, që të pranishmit në stadiumin e qytetit në Strugë të shohin edhe golin e dytë, e që këtë herë erdhi si dhuratë nga mbrojtësi shqiptarë i AP Brera, Agron Rufati.

Besart Ibraimi, këtë herë nga një distancë shumë më e largët se ajo e penaltisë, lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës mysafire, duke bërë që Alçevski vetëm ta grushtojë topin, mirëpo që i njëjti nga këmbët e Rufatit të përfundojë në rrjetën e tij për herë të dytë në këtë takim.

Kështu në pushim shkuam me dy gola epërsi, që na dhanë shumë qetësi në pjesën e dytë, që rezultoi të jetë shumë më dinamike, me me shumë raste shënimi nga të dyja anët.

Ende pa kaluar dy minuta në këtë pjesë, Vangjel Zguro provoi goditjen e tij, që përfundoi vetëm në duart e Alçevskit. Që AP Brera nuk do të jetë inferiore në këtë pjesë, dëshmoi minuta e 49-të, kur ishin shumë afër golit të parë, mirëpo Besart Krivanjeva, reagoi mjaft mirë, duke larguar topin nga vija e golit.

Compaore ishte shumë afër golit në minutën e 55-të, mirëpo goditja e tij me kokë u ndal në shtyllë.

Sërish nga krahu i djathtë shfaqemi të rrezikshëm, këtë herë me Shaban Zenkun, i cili mjaft mirë depërtoi nga ky krahë, mirëpo idenë e tij nuk e lexoi asnjë nga sulmuesit tanë.

Këto tentativa që nuk rezultuan me gol, paralajmëruan golin e Marjan Radeskit, që erdhi në minutën e 59-të. Compaore nga e majta harkoi brenda zonës, aty ku Radeski reagoi mjaft mirë dhe në cilësinë e një sulmuesi të spikatur, arriti të shënojë edhe golin e 11-të sezonal.

Portieri ynë, Vedran Qoshevski, lexon mjaft mirë një kombinim të futbollistëve mysafir që erdhi nga rivënia e këndit, duke mos lejuar gëzimin e tyre, falë intervenimit të tij të shkëlqyer.

Në krahun tjetër, Compaore, i disponuar për loje vazhdonte të depërtonte nga krahët, këtë herë nga e majta, mirëpo në momentin final mbrojtja mysafire devijoi topin në rivënie nga këndi.

Zguro provoi golin edhe në minutën e 82-të, mirëpo goditja e tij këtë herë ishte shumë jo precize. Në aksionin e rradhës, që erdhi pas një ndërprerje para 16-të metërshit të mysafirëve, arritëm të gjejmë sërish rrjetën e Alçevskit, mirëpo goli i realizuar nga Bekim Kamberi, u anulua për shkak pozitës jashtë loje.

Në anën tjetër, mysafirët rrezikuan portën tonë, mirëpo edhe njëherë tjetër Qoshevski intervenon shkëlqyeshëm. Megjithatë, gardiani ynë kapituloi në minutën e 85-të, kur u mposht nga afërsia nga ana e Georgije Jankullov.

Ishte ky goli i fundit në këtë takim të javës së 23-të, ku edhe njëherë tjetër dominuam në fushën e blertë, si me raste, ashtu edhe me gola. Vlen të theksohet me me 3 golat e sotëm, jemi skuadra më efikase në Ligë, me gjithsej 40 gola.

Javën që vjen na pret përballja me Rabotniçkin në Shkup, ndërsa deri atëherë të qetë qëndrojmë në pozitën e parë me 48 pikë, një më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë dhe 4 më shumë se Shkëndija e vendit të tretë.

_______________________________________________________________________________________________________________

STRUGA TRIM LUM – AP BRERA 3:1

Autorë të golave: B. Ibraimi 33′ (pen.), A. Rufati 39′ (a.g), M. Radeski 59′ – G. Jankulov 85′

Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 1000

Arbitër kryesor: Marjan Mlladenovski (Shkup)
Kartonë të verdhë: B. Krivanjeva (Struga Trim Lum) – M. Alçevski, A. Ristevski, S. Naumçevski

Formacionet:
Struga Trim Lum: V. Qoshevski, E. Maliqi, S. Radiç, B. Krivanjeva, V. Zguro, B. Bojku, Sh. Zenku (B. Kamberi 75′), A. Kasami (H. Ukpa 75′), B. Shabani (F. Tairi75′), M. Radeski (N. Vlajkoviç 63′), B. Ibraimi;

AP Brera: M. Alçevski, A. Ristevski, A. Rufati, U. Stameniç, R. Mato, Kauan, L. Antonio, G. Jankulov, D. Ivkoviç, M. Gjorgievski, M. Cvetanoski