RAPORTI I NDESHJES |  AP BRERA – STRUGA TRIM LUM 2:1

Disfatë minimale 2:1 në udhëtim te AP Brera. Pjesa e parë foli në të mirë të skuadrës vendase, që kishte shënuar që të dy golat, ndërsa në pjesën e dytë pavarësisht dominimit total, nuk arritëm ti ikim disfatës….

Disfatë minimalë 2:1 nga transferta në Strumicë, aty ku vendimtare doli të jetë pjesa e parë, në të cilën vendasit na ndëshkuan dy herë. Pjesa e dytë në tërësi foli për skuadrën tonë, megjithatë goli i Mexhit Nezirit në minutën e 77-të nuk na mjaftoi për të bërë diçka më tepër në këtë ndeshje, në të cilën u ndëshkuam vetëm pas 8 minutave lojë, kur italiani Salvatore Ribaudo shënoi në rrjetën e Qoshevskit.

Pasoi një periudhë e bukur e skuadrës tonë, mirëpo që përfundoi me disa tentativa të njëpasnjëshme të Besart Ibraimit nga distanca, apo më mirë thënë nga dy gjuajtje të lira të njëpasnjëshme.

Në minutën e 22-të, edhe Radeski tentoi me kokë, mirëpo pa rrezikuar portierin vendas.

Në anën tjetër Ribaudo edhe njëherë tjetër vuri në mjaft vështirësi portierin Qoshevski, që devijoi topin në rivënie nga këndi, njëjtë sikurse edhe në minutën e 32-të, kur ndali goditjen e Martin Georgievskit.

Kapiteni Bunjamin Shabani me një goditje nga distanca 7 minuta para fundit të pjesës së parë, tentoi që të shënojë golin e barazimit, mirëpo pa sukses, ndërsa në anën tjetër vendasit e AP Brera pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e parë të kohës shtesë na ndëshkuan duke shënuar edhe golin e dytë.

Kështu në pushim shkuam me dy gola disavantazh, ashtu që në pjesën e dytë ishin të patjetërsueshme zëvendësimet, që u bënë nga trajneri Shpëtim Duro, mirëpo pa dhënë ndoshta rezultatin e duhur, pavarësisht dominimit total që kishim.

Tentativën e parë në këtë pjesë e pati Besart Ibraimi në minutën e 53-të. Sulmuesi ynë bëri gjithçka mirë në zonën kundërshtare, duke përfituar hapësirën e duhur për të goditur, mirëpo goditja e tij u ndal vetëm në shtyllë.

Pasuan dy tentativa të njëpasnjëshme të rezervistit Flamur Tairi nga distanca, e ku vlen të thekoshet ajo e minutës së 65-të, kur vuri në mjaft vështirësi portierin vendas Alçevski, i cili devijoi topin në rivënie nga këndi.

Këto tentativa të Tairit, por edhe kontrolli i plotë në fushë, paralajmëruan golin e Mexhit Nezirit në minutën e 77-të. Mbrojtësi ynë përfitoi nga një harkim nga rivënia e këndit dhe me kokë në ato momente zbuti rezultatin në 2:1.

Ky rezultat njëherit doli të jetë edhe përfundimtarë në këtë takim kundër AP Brera, ndaj së cilës skuadër pësuam edhe disfatën e dytë këtë edicion.

Pas 14 xhirove, tashmë renditemi në pozitën e tretë, me vetëm një pikë më pak se dy skuadrat kryesuese, FC Shkupi dhe Shkëndija.