Grackat e mundshme pas pushimit ndërkombëtar, dëshira për t’u kthyer në rrugët e fitoreve dhe vendosmëria për ta bërë këtë në terren vendas. Struga Trim Lum – Voska Sport, vlen tre pikë në tabelë, por edhe shumë më tepër….
Pushimi i tretë ndërkombëtar i sezonit tani ka përfunduar dhe për ekipin tonë, aksioni i ligës do të rifillojë nga Struga me ndeshjen kundër rivalëve buzë liqenit të Voska Sport. Kjo ndeshje e javës së 15-të është një mundësi për të nisur në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e fundit të vitit 2023.
Aktualisht jemi në pozitën e tretë, mirëpo shumë afër kreut, duke pasur parasysh se dy skuadrat kryesuese FC Shkupi dhe Shkëndija, kanë vetëm një pikë më shumë se ne.
Struga Trim Lum të dielën do të përballet me një kundërshtar të ndërlikuar, siç është Voska Sport. Ata janë kthyer në rrugën e duhur, duke lidhur një seri prej 7 ndeshjeve pa humbje, përfshirë këtu edhe dy ndeshjet e Kupës, derisa së fundmi para pushimit ndërkombëtar, mundën Vardarin në Shkup, duke i ikur zonës së ftohtë.
Skuadra e trajnerit Radoviç është rikuperuar kështu nga një moment i vështirë, duke pasur parasysh se më shumë pikë kjo skuadër ka fituar në 5 takimet e fundit, se sa në 9 takimet hyrëse.
Seria prej 5 ndeshjeve pa humbje në kampionat, është një seri në të cilën skuadra nga Voska nuk ka shfaqur ndonjë shenjë veçanërisht negative, duke demonstruar vazhdimisht se ka një identitet teknik dhe taktik të qartë dhe të dukshëm, pavarësisht disa vështirësive në realizim.
Struga Trim Lum po kërkon të rikthehet te fitoret pas disfatës së fundit ndaj AP Brera, para pushimit ndërkombëtarë. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro do të provojë fitoren e parë si vendas në një ndeshje kampionale ndaj Voska Sport, të cilën skuadër e kishim mundur në Ohër në ndeshjen tonë të parë zyrtare ndaj tyre.
Të dielën njëkohësisht do të kërkojmë fitoren e 10-të të këtij edicioni, në të cilin figurojmë si skuadra me më shumë fitore për momentin, por njëkohësisht edhe si skuadra më efikase e Ligës, me 24 gola të shënuar.
NGJASHMËRITË DHE DALLIMET
“Bardhekuqtë” e Shpëtim Duros dhe “bardheblutë” e Radoviç kanë disa gjëra të përbashkëta. Një vijë e pasme me katër lojtarë, një mesfushë dinamike – tre lojtarë që veprojnë në mes si një kockë e fortë, ose një dyshe dhe një mesfushor sulmues – dhe shumë lëvizje nga krahët.
Nëse te Struga Trim Lum shënojnë gola më shumë lojtarë, thuajse nga të gjitha pozicionet, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për skuadrën e Voska Sport, që aktualisht po udhëhiqet nga dyshja sulmuese, Aleksa Marushiç-Alen Jasharoski. Kjo dyshe ka shënuar 16 nga gjithsej 17 golat e Voska Sport, skuadër kjo që edhe të dielën me siguri se do të mbështetet te kjo dyshe.
IBRAIMI-RADESKI vs MARUSHIÇ-JASHAROSKI
Marushiç, i cili po zhvillon vetëm sezonin e parë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, pa dyshim se është violina e parë e trajnerit Radoviç te Voska Sport, duke mos harruar në asnjë moment këtu edhe Alen Jasharoskin, kontributi i të cilit erdhi në shprehje në tre ndeshjet e fundit, kur shënoi 4 gola përballë kundërshtarëve si: AP Brera, Bregallnica dhe Vardar.
Megjithatë në asnjë moment nuk duhet të harrojmë dyshen sulmuese të Struga Trim Lum, Besart Ibraimi – Marjan Radeski, që kanë të shënuar nga 6 gola. Ata shihen pikërisht si rreziku më i madh për skuadrën e Voska Sport, kjo falë edhe përvojës, por edhe asaj që treguan në ndeshjet europiane, ku skuadra jonë arriti deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.
Ibraimi në total gjatë këtij edicioni në 20 ndeshje, ka realizuar 13 gola, ndërkohë Radeski po në aq ndeshje, ka arritur që të shënojë 9 gola të tjerë.
Pra plotë 22 golat e këtij edicioni, karshi 16 golave do të diskutojnë sërish të dielën bashkë.
Aktualisht në epërsi është dyshja jonë, pasi Radeski kishte shënuar golin e vetëm dhe të fitores në ndeshjen e parë të zhvilluar në Ohër me 27 shtator.
DEKLARATA | KRIVANJEVA – JASHAROSKI
“Fjalët janë të pakuptimta dhe faktet flasin. Ne i kemi analizuar gabimet tona dhe nuk duhet t’i përsërisim ato. Ne duhet të luajmë në një nivel të lartë për 90 minuta. Ne duhet të dëshmojmë se jemi më të mirë se ata. Voska Sport na shkaktoi probleme në ndeshjen e Kupës, ashtu që ne do të duhet të jemi kompakt, të vendosur dhe vendimtar, nëse dëshirojmë të marrim një rezultat pozitiv” – shprehet mbrojtësi Besart Krivanjeva, i cili në një farë mënyre do të jetë i obliguar për të ndalur një nga sulmuesit e Voska Sport, siç është Alen Jasharoski.
Sulmuesi shkupjan, aktualisht shihet si futbollisti më i rrezikshëm për skuadrën tonë, ashtu që do të jetë interesante të shohim një përballje shkupjançe të dielën në Strugë.
“Gjithsesi se duam ta vazhdojmë atë seri të rezultateve pozitive, por njëkohësisht të vazhdojë edhe me shënimin e golave, me të cilët do e ndihmojë skuadrën time. Shpresoj që edhe në këtë ndeshje të arrijmë një rezultat në favorin tonë. E respektojë ekipin e Struga Trim Lum, presim një derbi të vërtetë buzë liqenit, ku mendoj se fituesin do ta vendosin vetëm nuanca” – është shprehur Jasharoski për faqen zyrtare të Voska Sport.
FAKTE DHE STATISTIKA
Tashmë kemi fituar jashtë në Ohër kundër Voska Sport, duke i mundur ata 1-0 falë golit të shënuar nga Marjan Radeski. Mirëpo kjo nuk është ndeshja e vetme e këtij sezoni, pasi me Voska Sport u përballëm edhe në kuadër të ndeshje së 1/8 së finales së Kupës, e ku për fat të keq pësuam disfatë përmes ruletit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt ishte mbyllur me barazim pa gola.
Janë këto dy ndeshjet e vetme zyrtare në historikun tonë, derisa edhe tre ndeshje tjera ndaj Voska Sport kemi zhvilluar si miqësore, e ku në dy prej tyre kemi dalë fitues, derisa në një ndeshje kemi pësuar disfatë.
ZYRTARËT E NDESHJES
Stojançe Trpçeski është caktuar për të drejtuar ndeshjen e së dielës, e cila njëherit do të jetë ndeshja e 10-të për të këtë edicion në Ligën e Parë.
Deri më tani i njëjti ka ndarë drejtësinë në 9 ndeshje, duke treguar plotë 53 kartonë të verdhë, apo nga afërsisht 6 kartonë për ndeshje.
Trpçeski deri më tani na ka referuar në dy ndeshje, në të cilat kemi dalë si fitues. Arbitri nga Kavadari na kishte referuar në ndeshjen e parë të sezonit të ri ndaj Gostivarit në shtëpi, kur kishim regjistruar fitore 2:0 dhe më pas edhe në ndeshjen në transfertë kundër Makedonija Gj.P, kur kishim arritur një fitore komode 3:0.
Në anën tjetër, skuadrës së Voska Sport i kishte referuar në vetëm një ndeshje, edhe atë kundër Vardarit, kur skuadra nga Ohri kishte shënuar fitore 3:2.
Arbitër kryesor: Stojançe Trpçeski (Kavadar)
Ndihmës i parë: Dragan Trpçeski (Kavadar)
Ndihmës i dytë: Dushko Panov (Kavadar)
Arbitër i katërt: Kirill Smokovski (Prilep)
Delegat: Sulejman Ibishi (Tetovë)
Kontrollor: Dragi Stojanovski (Kumanovë)
NDESHJA
Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Voska Sport do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë të dielën me fillim në ora 13:00.