PRAG NDESHJA | STRUGA TRIM LUM – RABOTNIÇKI

Stadiumi i qytetit në Strugë është vendi ku sot do të mirëpresim “romantikët” nga Shkupi…

Struga Trim Lum do të shpresojë të vazhdojë formën pozitive, ndërsa do të përballet me Rabotniçkin sot me fillim në ora 15:00.

Tre fitore në 4 ndeshje, dy më të fundit me rezultatin 3:1, kanë bërë që trajneri, lojtarët dhe tifozët të imagjinojnë se sezoni 2023/24 mund të përfundojë me të vërtetë shumë i veçantë për ngjyrat “bardhekuq”.

Me Shpëtim Duron në krye skuadra po luan një futboll shumë të mirë.

KUNDËRSHTARI

Rabotniçki sezonin e ri e nisi me fitore, edhe atë ndaj FC Shkupit, një ndër pretendetëve kryesor për titull edhe këtë edicion. Ata në atë ndeshje të zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari kishin shënuar fitore 3:1, fitore kjo më e thellë deri më tani, përfshirë edhe atë të fundit kundër Voska Sport, kur në arenën “Todor Proeski”, realizuan fitore 2:0.

Ndryshe kjo skuadër ka regjistruar 7 gola në po aq ndeshje, që i bie nga një gol për ndeshje. Aktualisht me 10 pikë renditen në pozitën e 7-të, një më lartë se skuadra e Struga Trim Lum, që me një fitore eventuale do ta zbriste këtë kundërshtarë më poshtë në renditje.

FAKTE DHE STATISTIKA

Rabotniçki është një ndër skuadrat më të preferuara. Rabotniçki ka fituar vetëm një nga 15 ndeshjet e zhvilluara mes nesh. “Romantikët” janë pa fitore plotë 12 ndeshje. Ata për herë të fundit kishin fituar me 16 shkurt të vitit 2020, edhe atë në kuadër të ndeshjeve kampionale.

Kur jemi tek ndeshjet kampionale, epilogu është 7 fitore, 4 barazime dhe një disfatë në favorin tonë.

Nga gjithsej 6 ndeshje të zhvilluara si vendas, në 4 prej tyre kemi dalë fitues, një ndeshje kemi barazuar, ndërsa gjithashtu kemi pësuar edhe disfatën e vetme ndaj kundërshtarit të sotëm, që për në Strugë udhëton me 10 pikë, një më shumë se Struga Trim Lum, por gjithsesi se kjo skuadër ka edhe 3 ndeshje më shumë se ne.

VIZITA E FUNDIT E RABOTNIÇKIT

Struga Trim Lum do të kërkojë fitoren e katërt në 5 ndeshjet e fundit kampionale si vendas kundër Rabotniçkit. Golat e Zija Merxhanit dhe Sava Radiç i dhanë fitoren 2:1 skuadrës tonë.

Ndeshja e fundit kampionale kundër Rabotniçkit në Strugë rezultoi të jetë shumë e zjarrtë, pasi u treguan gjithsej 16 kartonë të verdhë, përfshirë këtu nga dy të Bunjamin Shabanit dhe Metodi Maksimov, që u ndëshkuan nga dy herë, duke u larguar nga loja, ndërsa gjithashtu me karton të kuq ishte ndëshkuar edhe Sava Radiç.

INTERVISTA

Në prag të këtij takimi nga tabori i skuadrës tonë ka folur golashënuesi i fundit në mesin e futbollistëve aktual që kemi. Fjala është për kapitenin, Bunjamin Shabani, që kishte shënuar në ndeshjen e fundit në Shkup, kur Struga Trim Lum barazonte me shifrat 1:1.

“Ata kanë një skuadër cilësore, por premtojmë se do të japim maksimumin si në këtë ndeshje, ashtu edhe në ndeshjet e rradhës, me qëllim për të marrë maksimumin e pikëve dhe sërish të luftojmë për titullin e kampionit”.

“Sa u përket golave, ajo ka shumë pak rëndësi. Do doja të shënoja golin e parë, mirëpo më e rëndësishmja është që skuadra të fitojë”.

ZYRTARËT E NDESHJES

Arbitër kryesor në takimin e sotëm do të jetë Marjan Stojanovski nga Kërçova. Do të jetë ky takimi i parë për këtë arbitër që do ta drejtojë në sezonin e ri futbollistik në Ligën e Parë. Sezonin e kaluar, Stojanovski kishte ndarë drejtësinë në vetëm 4 ndeshje, duke treguar 10 kartonë të verdhë dhe një të kuq.

Ndryshe pjesë e ndeshjeve të Ligës së Parë, është që nga sezoni 2018/2019, ndërsa skuadrës tonë deri më tani i ka referuar në 4 ndeshje.

Ajo që gëzon, është se në ndeshjet me këtë arbitër, skuadra jonë nuk njeh disfatë, duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime.

NDESHJA

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Rabotniçkit starton në ora 15:00 dhe e njëjta do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë, aty ku skuadra jonë do të zhvillojë ndeshjen e katërt të këtij edicioni.