Struga Trim Lum do të përballet me skuadrën e Breidablik nga Islanda në ndeshjen e parë të fazës “Play-Off” të Ligës së Konferencës. Ndeshja e cila do të luhet të mërkurën e 24 gushtit në stadiumin e qytetit në Ohër do të nisë në ora 17:00. Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në SuperSport2.
Polaku Damian Sylwestrzak do të drejtojë ndeshjen, ndërsa atë do e ndihmojnë bashkëkombasit e tij Bartosz Heinig dhe Adam Karasewicz. Edhe arbitri i katërt është polak (Pawel Malec), njëjtë sikurse edhe dy asistentët në VAR, Piotr Lasyk dhe Krzysztof Myrmus.
Lista e lojtarëve të ekipit tonë për ndeshjen kundër Breidablik është si më poshtë:
Vedran Qoshevski, Kristijan Kitanovski, Raif Mirseloski, Mexhit Neziri, Ardi Idrizi, Besart Krivanjeva, Sava Radiç, Vangjel Zguro, Ard Kasami, Hadis Tairi, Edis Maliqi, Jusuf Kaba, Hristijan Georgievski, Abdylhadi Jahja, Besmir Bojku, Flamur Tairi, Hogan Ukpa, Bunjamin Shabani, Mentor Mazrekaj, Bekim Kamberi, Senad Jaroviç, Besart Ibraimi.
Luanët e ekipit tonë vazhdojnë pa u ndalur aventurën e tyre europiane, të cilën e nisën në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Djelmoshat tanë edhe pse bënë dy paraqitje shumë të mira kundër Zhalgiris, në fund u eliminuam ndoshta edhe padrejtësisht, mirëpo aventurën tonë e vazhduam me ndeshjet në Ligën e Konferencës, aty ku fillimisht eliminuam ekipin e Buduçnost nga Mali i Zi dhe më pas edhe skuadrën kampione të Luksemburgut, Swift Hesperane.
Tashmë përballë kemi ekipin përfaqësues nga Islanda, Breidablik, pengesë kjo e fundit drejt historisë më të bukur të klubit tonë, kualifikimit në grupet e Ligës së Konferencës, që realisht do të ishte qershia mbi tortë e këtij edicioni.
Së fundmi skuadra jonë u mposht 2:1 në kampionat përballë AP Brera Strumica, mirëpo këtë herë do të dalim në fushë për të arritur një rezultat favorizues përballë islandezëve të Breidablik.
Kampionati elitar islandez, aty ku garon edhe Breidablik, kishte nisur që në fillim të muajit prill, ndërsa tashmë ka arritur në javën e 20-të. Breidablik aktualisht renditet në pozitën e tretë me 38 pikë, plotë 15 pikë mbrapa skuadrës lidere të Vikingur Reykjavik, të cilën skuadër e kishte mundur para fillimit të sezonit, në ndeshjen e SuperKupës së Islandës.
Pas 20 xhirove të zhvilluara, Breidablik numëron 11 fitore, 5 barazime dhe 4 disfata. Ata në xhiron e fundit mundën ekipin e Keflavik me rezultatin 2:1.
Ndryshe aventurën europiane e nisën me ndeshjet preliminare në Ligën e Kampionëve, aty ku ishin shumë të frikshëm. Fillimisht mundën ekipin e Tre Penne nga San Marino me rezultatin 7:1 dhe më pas edhe ekipin e Buduçnost nga Mali i Zi me rezultatin 5:0. Rrugëtimin e sukseseve e vazhduan edhe në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, aty ku eliminuan kampionët e Irlandës, Shamrock Rovers, duke i mundur në të dyja ndeshjet. Në raundin e dytë, ata u eliminuan nga FC Kopenhagen me rezultatin e përgjithshëm 8:3, duke vijuar aventurën e tyre europiane në raundin e tretë kualifikues të Liga Europa, aty ku hasën në pengesën e quajtur Zrinjski, nga e cila skuadër u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 6:3, pavarësisht se fituan ndeshjen e kthimit në shtëpinë e tyre me rezultatin minimal 1:0.
Si golashënues më i mirë aktualisht dallohet Gísli Eyjólfsson, i cili në 17 ndeshje të kampionatit suedez ka realizuar 7 gola, ndërsa gjithashtu 2 gola ka realizuar edhe në ndeshjet europiane, një në kualifkueset e Ligës së Kampionëve dhe një në kuadër të Liga Europa.
Ndryshe vlen të theksohet se pas ndeshjeve preliminare kundër Tre Penne dhe Buduçnost nga kjo skuadër ishte larguar golashënuesi më i mirë, Stefan Ingi Sigurdarson, i cili në 12 ndeshje kampionale kishte realizuar 10 gola, ndërsa gjithashtu kishte realizuar dy gola të tjerë në dy ndeshjet preliminare të Ligës së Kampionëve. Sigurdarson tashmë është pjesë e skuadrës belge të Patro Eisden.
Ndeshjen e kthimit kundër Breidablik skuadra jonë do ta zhvillojë të enjten e ardhshme, me datë 31 gusht në stadiumin Kópavogsvöllur.