Prag ndeshja me KF Arsimin | Besmir Bojku jep opinionin e tij

Të shtunën Struga Trim Lum me ndeshjen kundër KF Arsimit në transfertë, edhe zyrtarisht mbyll sezonin 2025/26. Duke zënë pozitën e tretë, neve si skuadër përsëritëm suksesin e sezonit 2020/21…

Besmir Bojku i gatshëm pret ndeshjen e fundit të sezonit 2025/26, që ka rezultuar të jetë sezoni me më shumë ndeshje, që kur se Bojku luan me fanellën e Struga Trim Lum. Për Bojkun është ky sezoni i 5-të me rradhë si pjesë e skuadrës tonë, duke rrumbullaksuar deri më tani plotë 117 ndeshje.

Sezonin që po lëmë pas, Bojku mungoi në vetëm një ndeshje, edhe atë javën e kaluar kundër Vardarit, kjo pasi kishte përmbushur shifrën e 5 kartonëve të verdhë. Ai pritet të luaj nesër kundër KF Arsimit, me shpresë se bashkë me shokë do të arrijë deri tek 3 pikët, për të përmbyllur këtë sezon me fitore.

“Presim një ndeshje të hapur dhe të bukur për tifozët. Është ndeshja e fundit e sezonit dhe duam ta mbyllim me paraqitje pozitive dhe me rezultat të mirë.” – shprehet Bojku, që thotë se pavarësisht që nuk arritëm qëllimin, daljen në Europë, pozita  e tretë në renditje, duhet vlerësuar.

“Mendoj se gjatë sezonit kemi treguar shumë gjëra pozitive. Sigurisht gjithmonë mund të bëhet më shumë, por duke parë rrjedhën e kampionatit, pozita e tretë është rezultat që duhet vlerësuar.” – tha Bojku.

Sipas zv.kapitenit, skuadrës këtë sezon i kanë kushtuar shumë edhe pikët e humbura në terren vendas.

“Normalisht që kur humb pikë ndaj skuadrave më të dobëta ne letër, edhe atë në shtëpinë tënde, në fund ato të kushtojnë. Kemi pasur disa ndeshje ku mund të kishim bërë më mirë, por futbolli është i tillë. Tani fokusi ynë është ta mbyllim sezonin sa më mirë.” – u shpreh Bojku, që shpreson në fitoren e tretë nga po aq ndeshje të zhvilluara ndaj KF Arsimit.

“Kemi fituar dy ndeshjet e kaluara ndaj Arsimit dhe sigurisht futemi në këtë takim me besim. Do të japim maksimumin për ta marrë edhe fitoren e tretë dhe për ta mbyllur sezonin me 3 pikë.” – përfundoi intervistën e tij, Besmir Bojku, që sezonin aktual ka zhvilluar 31 ndeshje, duke regjistruar edhe 2 gola dhe 3 asistime.