PRAG NDESHJA | BREGALLNICA – STRUGA TRIM LUM

Pushimi ndërkombëtar ka përfunduar, është koha për të dalë dhe për të kërkuar fitoren e rradhës në kampionat….

Kanë kaluar plotë 140 ditë nga ndeshja e fundit me Bregallnicën në Shtip, ndeshje në të cilën skuadër jonë kishte regjistruar fitoren më të thellë në ndeshjet direkte ndaj kësaj skuadre. Sot do të përballemi sërish me këtë skuadër, që në rradhët e veta ka sjellë shumë futbollistë të huaj, e që realisht kanë ngritur cilësinë e skuadrës.

Një gjë të tillë konfirmon edhe trajneri ynë, Shpëtim Duro: “Bregallnica nga ndeshjet që ka zhvilluar gjatë këtij sezoni mund të them se kjo skuadër ka shumë ndryshime nga sezoni i kaluar, është një kundërshtarë për tu vlerësuar në maksimum”.

Struga Trim Lum për shkak ndeshjeve europiane, në kampionat ka zhvilluar vetëm tre ndeshje, ndërsa nëse ju referohemi tre ndeshjeve të fundit të Bregallnicës, që në anën tjetër në kampionat numëron 6 ndeshje të zhvilluara, skuadra jonë është në një seri më të mirë, pasi ka regjistruar dy fitore dhe një disfatë, derisa Bregallnica numëron vetëm një fitore dhe dy disfata, përfshirë edhe disfatën e fundit në Ohër ndaj Voska Sport.

Bregallnica në 6 ndeshje ka grumbulluar 9 pikë, të cilën shifër të pikëve neve do e kishim arritur sot me një fitore përballë tyre.

NDESHJET MES NESH

Takimi i sotëm ndaj Bregallnicës do të jetë vetëm i 7-ti në historikun tonë.

Tre fitore për skuadrën tonë, 2 barazime dhe vetëm një fitore për Bregallnicën, është epilogu i takimeve të deritanishme, ku vlen të theksohet se këtë skuadër e kemi mundur njëherë edhe në kuadër të Kupës, edhe atë edicionin e kaluar, kur në kuadër të ndeshjes çerekfinale, kishim shënuar fitore 2:0 falë golave të Bunjamin Shabanit dhe Edis Maliqit.

Kur jemi tek golashënuesit, në ndeshjen e fundit në Shtip, në atë fitore 3:0, nuk kishin se si të mungojnë golat e dy sulmuesve tanë më në formë, Besart Ibraimi dhe Marjan Radeski, derisa një gol tjetër kishte realizuar Hristijan Maleski, që aktualisht është huazuar te AP Brera.

Ndryshe takimi i sotëm në Shtip do të jetë i katërti, ku deri më tani kemi regjistruar dy fitore dhe vetëm një disfatë.

Disfatën e vetme e kemi pësuar para gati dy viteve.

MUNGESAT

Mungesa e vetme te skuadra jonë në takimin e sotëm do të jetë Edis Maliqi, i cili në ndeshjen e fundit kundër Tikveshit u ndëshkua me dy kartonë të verdhë, duke braktisur ndeshjen para kohe. Kështu pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e gatshme për ti përmbushur kërkesat e trajnerit Shpëtim Duro, i cili për formacioin startues do të vendos vetëm pak para fillimit të ndeshjes.  

DEKLARATA | MEXHIT NEZIRI

Në vigjile të takimit të sotëm nga tabori ynë ka folur mbrojtësi i krahut të djathtë, Mexhit Neziri, i cili shkëlqeu në takimin e fundit kundër Tikveshit, duke kontribuar me dy asistime.

“Pas ndeshjeve europiane, tani 100% do të jemi të fokusuar në kampionat. Pas fitores me Tikveshin, patëm një mini pauzë, që realisht mund të themi se erdhi mu në momentin e duhur. Mund të them se kemi patur kohën dhe hapësirën e duhur për përgatitje, ashtu që jemi maksimalisht të përgatitur për këtë ndeshje. E dimë që nuk do ta kemi lehtë përballë Bregallnicës, që luan shumë mirë si nikoqir, mirëpo neve si Struga Trim Lum sërish do të tentojmë kreun, ashtu që është normale edhe në këtë sfidë të kërkojmë 3 pikët e plota.” – tha Neziri.

ZYRTARËT E NDESHJES

Igor Stojçevski do të jetë kryesori i takimit të sotëm. Stojçevski është një nga arbitrat që na ka referuar më së shumti, githsej 16 ndeshje, nga të cilat kemi regjistruar 4 fitore, 8 barazime dhe 4 disfata, përfshirë këtu edhe disfatën në finalen e fundit të Kupës kundër Makedonija Gj.P., që erdhi pas penaltive.

Stojçevski referoi edhe ndeshjen çerekfinale të edicionit të kaluar në kuadër të Kupës kundër Bregallnicës, në të cilën ndeshje skuadra jonë kishte shënuar fitore 2:0, ndërsa sa u përket ndeshjeve kampionale, i njëjti dy herë kishte qenë kryesori në takimet që i kemi zhvilluar në Shtip, duke dalë një herë si fitues dhe një herë si humbës.

Shkupjani, Stojçevski në takimin e sotëm do të ndihmohet nga Slagjan Markovski nga Gostivari dhe Martin Petkovski nga Kumanova, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Davor Stojçevski.

NDESHJA

Ndeshja e sotme kundër Bregallnicës i takon xhiros së 7-të në Ligën e Parë, aty ku skuadra jonë sot do të zhvillojë vetëm ndeshjen e katërt.

Takimi në fjalë do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Shtip me fillim në ora 15:00.

JA KU MUND TA NDIQNI NDESHJEN BREGALLNICA – STRUGA TRIM LUM

Ndeshjen e sotme midis Bregallnicës dhe Struga Trim Lum do të mund ta ndiqni në kanalin zyrtarë të FFM-së në youtube.