NDESHJE KONTROLLUESE | Fitore bindëse ndaj KF Arsimit

Struga Trim Lum ka regjistruar fitoren e parë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese në prag të sezonit futbollistik 2026/27…

Struga Trim Lum sot në Ohër mundi bindshëm me shifrat 6:0 KF Arsimin, skuadër kjo që gjithashtu është anëtare e Ligës së Parë.

Ndeshja e zhvilluar në Ohër prodhoi një pjesë të parë me shumë raste për skuadrën tonë, por që në fund arritëm të shënojmë vetëm një gol në rrjetën e skuadrës kundërshtare.

Një gjë të tillë bëri një nga përforcimet e fundit të skuadrës, sulmuesi francez me origjinë nga Gana, Hammond Agamah, që hapi serinë e golave diku pas gjysmë ore lojë.

I njëjti pati edhe disa raste tjera për gol, duke qenë rrezik permanent për mbrojtjen e KF Arsimit, mirëpo pa arritur të shënojë edhe ndonjë gol tjetër.

Për dallim nga pjesa e parë, pjesa e dytë doli të jetë shumë më efikase, kjo falë edhe inkuadrimit në lojë të Arbi Voshës, që ishte shumë i disponuar për lojë.

Ishte Memetriza Hamza, ai që fillimisht ngriti epërsinë në 2:0, ndërsa nuk kaluan shumë minuta dhe në skenë doli Arbi Vosha që shënoi për 3:0. Ende pa përfunduar çereku i pjesës së dytë, neve shënuam edhe dy gola të tjerë, përmes Adrian Zendelit dhe një tjetër të shënuar sërish nga Arbi Vosha, ndërsa 5 minuta para fundit të takimit, me anë të Florian Roçit shënuam edhe një gol tjetër, për të përmbyllur edhe këtë takim me shifrat e larta, 6:0.

Për Struga Trim Lum ishte kjo ndeshja e tretë në kuadër të fazës përgatitore për sezonin e ri futbollistik, pas atyre dy ndeshjeve ndaj Dinamo City nga Superliga shqiptare.

Ekipi ka paraparë që të dielën të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër, për të cilën do të ju informojmë me kohë.