NDESHJA FINALE, Stojçevski kryesori, në VAR arbitra nga Serbia

Ndeshja finale e Kupës po afrohet, ndërsa tashmë janë caktuar edhe zyrtarisht arbitrët që do të ndajnë drejtësinë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën tonë…

www.fcstruga.com

Federata e futbollit të Maqedonisë ka caktuar edhe arbitrët që do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë, në të cilën skuadra jonë do të përballet me Vardarin.

Arbitër kryesor i këtij takimi do të jetë Igor Stojçevski nga Shkupi, ndërkohë ndihmës të tij do të jenë Darko Jovçevski nga Tetova dhe Martin Petkovski nga Kumanova. Arbitër i katërt do të jetë Jovan Kaçevski nga Struga.

Në dhomën VAR do të qëndrojnë arbitrët nga Serbia me bagazh edhe nga ndeshjet e Ligës së Kampionëve, Novan Simoviq nga Novi Sadi dhe Urosh Stojkoviq nga Beogradi.

Delegat i këtij takimi do të jetë Igor Frangoski nga Shkupi, ndërkohë rolin e kontrolluesit do ta luaj, Zoran Nikollovski.

STOJÇEVSKI REFEROI EDHE FINALEN E PARA DY VITEVE NDAJ MAKEDONIJA GJ.P

Finalja e 21 majit do të jetë e dyta në historikun e Struga Trim Lum, pas asaj të sezonit 2022/23, kur për kundërshtarë kishim Makedonija GJ.P.

Pikërisht edhe në atë ndeshje të zhvilluar saktë dy vite më parë në Shkup, rolin kryesor të arbitrit e luajti Igor Stojçevski, që është caktuar edhe për ndeshjen finale të këtij sezoni kundër Vardarit.

Deri më tani i njëjti na ka referuar gjithsej në 21 ndeshje, dy prej të cilëve në kuadër të Kupës.

Me Stojçevskin arbitër, kemi regjistruar 8 fitore, 8 barazime dhe 4 disfata, pa llogaritur disfatën në ndeshjen finale të Kupës kundër Makedonija GJ.P, kur u mundëm vetëm përmes ruletit të penaltive.

Ndeshja e 21 majit kundër Vardarit, do të jetë vetëm e dyta që Stojçevski do të jetë kryesori. Të vetmën ndeshje ndaj ekipit kundërshtarë të ndeshjes finale, Stojçevski e kishte referuar me 7 mars të vitit 2021, kur barazonim me shifrat 1:1.

NDESHJET E REFERUARA NDAJ VARDARIT

Stojçevski skuadrës së Vardarit i ka referuar në gjithsej 12 ndeshje. 3 fitore, 3 barazime dhe 6 disfata është epilogu i këtyre takimeve të skuadrës shkupjane, me arbitër Stojçevskin, i cili këtë edicion Vardarit i ka referuar në 4 ndeshje, kundër Pelisterit (1:0), Rabotniçkit (0:0) dhe Shkëndijës (1:2) në kampionat, si dhe kundër AP Brera (1:1) në kuadër të ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës.

NDESHJA FINALE

Ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë midis Struga Trim Lum dhe Vardarit do të luhet me datë 21 maj në arenën “Todor Proeski” me fillim në ora 19:00.