Ekipi ynë gjatë ditës së sotme ka udhëtuar drejt Shtipit, aty ku të dielën do të zhvillojmë një nga 4 finalet e fundit të këtij edicioni.
Përballë do të kemi skuadrën e Bregallnicës, një kundërshtarë aspak i lehtë, mirëpo jo edhe i pakalueshëm.
Kujtojmë, këtë skuadër e eliminuam në çerekfinale të Kupës, ndërsa pikët nga kjo ndeshje janë më të rëndësishme se kurrë. Një mendim të tillë ndanë edhe mbrojtësi ynë, Zija Merxhani, i cili fillimisht u shpreh: “Si çdo ndeshje tjetër edhe për ndeshjen e rradhës kundër Bregallnicës jemi përgatitur maksimalisht. Besoj se një gjë të tillë do të dëshmojmë edhe në terren ku do të japim maksimumin për të marrë pikët e plota”.
Nuk ka më ndeshje të lehta…
“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, mirëpo neve duhet të jemi të fokusuar dhe të luftojmë për ngjyrat tona, të luftojmë për Strugën, ashtu siç kemi bërë gjatë gjithë kampionatit. Neve na mbetet të marrim çdo ndeshje me seriozitet dhe në fund të arrijmë objektivin e këtij sezoni” – deklaroi Zija Merxhani, i cili gjatë karrierës së tij dy herë është shpallur kampion me Shkëndijën.
Merxhani nesër kundër Bregallnicës pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 24-të në kampionat, aty ku ka regjsitruar edhe 2 gola dhe 3 asiste.