Eliminohemi nga 14 herë kampionët e Sllovakisë, Sllovan Bratisllava, skuadër kjo që do të vazhdojë të luaj në turin e dytë të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë neve si skuadër do të vazhdojmë aventurën europiane në Ligën e Konferencës, aty ku do të përballemi me armenët e Pjunik…
Edhe në edicionin e dytë me rradhë në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, eliminohemi që në turin e parë, këtë herë nga 14 herë kampionët e Sllovakisë, Sllovan Bratisllava.
Përkundër dëshirës së madhe, por edhe vetëbesimit që kishim, pas gjithë asaj që treguam në ndeshjen e parë në transfertë, sot në ndeshjen e kthimit në Ohër, gjërat rrodhën më ndryshe.
Njëjtë sikurse në Bratisllavë, dyshja Strelec – Weis, ishin kreatorët e golit të parë, me kapitenin që shënoi edhe në ndeshjen e dytë kundër skuadrës tonë. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 9-të, ndërsa edhe përkundër tentativave të Besart Ibraimit, që rrezikoi në tre raste portën kundërshtare gjatë pjesës së parë, nuk arritëm të shënojmë.
Ishin sërish mysafirët, ata që na ndëshkuan në minutën e 34-të, këtë herë pas një gabimi në mbrojtje, me Ristevskin, që tundi gabimisht rrjetën tonë, në tentativë për të pastruar rrezikun para sulmuesit kundërshtarë, Strelec.
I fundit që tentoi në këtë pjesë të shënojë, ishte Sava Radiç, mirëpo goditja e tij me kokë, përfundoi jashtë në rivënie fundore.
Pas këtij rezultati gjatë 45 minutave të para, trajneri Qatip Osmani, vendosi të reagojë, duke inkuadruar në lojë dyshen Lanre Kehinde – Hogan Ukpa, në vend të Kire Ristevskit, gjegjësisht Arbi Voshës. Kjo la të kuptojmë, që ekipi ynë do të jetë më sulmues në këtë pjesë, megjithatë përkundër dominimit në posedimin e topit, munguan rastet konkrete.
Kjo shtyu trajnerin, që sërish të reagojë në formacion, duke iu dhënë besimin dyshes Massaki Takahara dhe Bassirou Compaore. Pikërisht kjo dyshe prodhoi edhe golin e vetëm për skuadrën tonë, që erdhi në minutën e 85-të.
Takahara nga e majta bëri një veprim mjaft të bukur, duke harkuar brenda zonës kundërshtare, aty ku më së miri u gjind Compaore, që me kokë vendosi njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të takimit të sotëm, Struga Trim Lum 1, Sllovan Bratisllava 2.
Kësisoj, ekipi kundërshtarë do të vazhdojë garat në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, derisa neve aventurën europiane do ta vijojmë në Ligën e Konferencës, aty ku në kuadër të turit të dytë eliminatorë do të përballemi me armenët e Pjunik.
________________________________________________________________________________________________________________
UEFA CHAMPIONS LEAGUE | RAUNDI 1
Ndeshja kthyese
STRUGA TRIM LUM – SLLOVAN BRATISLLAVA 1:2
Stadiumi i qytetit – Ohër
Shikues: 2500
Arbitër kryesor: R. Bengoetxea (Spanjë)
Kartonë të verdhë: A. Vosha, B. Krivanjeva, S.Jevtovski, H. Ukpa (Struga Trim Lum) – D. Strelec (Sl.Bratisllava)
Formacionet:
STRUGA TRIM LUM: F. Dujmoviç, N. Vlajkoviç (B. Ilievski 84’), S. Radiç, B. Krivanjeva, K. Ristevski (H. Ukpa 46’), S. Jevtovski, S. Spirovski, A. Vosha (L. Kehinde 46’), B. Shabani©, B. Ibraimi (M. Takahara 72’), M. Radeski (B. Compaore 72’)
SLLOVAN BRATISLLAVA: M. Trnovsky, K. Bajriç, G. Kashia, K. Ëimmer, C. Blackman, J. Szoke, J. Kucka, M. Vojtko, R. Mak, D. Strelec, V. Weiss jr ©;
________________________________________________________________________________________________________________
TË DHËNAT STATISTIKORE:
Posedimi i topit
Struga Trim Lum 53% – Sllovan Bratisllava 47%
Gjithsej goditje
Struga Trim Lum 11 – Sllovan Bratisllava 7
Goditje brenda kuadrantit
Struga Trim Lum 5 – Sllovan Bratisllava 2
Goditje jashtë kuadrantit
Struga Trim Lum 5 – Sllovan Bratisllava 2
Goditje të bllokuara
Struga Trim Lum 1 – Sllovan Bratisllava 3
Rivënie nga këndi
Struga Trim Lum 2 – Sllovan Bratisllava 2
Pozicion jashtëloje
Struga Trim Lum 3 – Sllovan Bratisllava 3
Pritje të portierëve
Struga Trim Lum 0 – Sllovan Bratisllava 4
Goditje dënimi
Struga Trim Lum 11 – Sllovan Bratisllava 14
Kartonë të verdhë
Struga Trim Lum 4 – Sllovan Bratisllava 1
Sulme
Struga Trim Lum 150 – Sllovan Bratisllava 140
Sulme të rrezikshme
Struga Trim Lum 106 – Sllovan Bratisllava 81