Kontrollueset i nisim me barazim

Kontrolluesen e parë në prag të ndeshjeve europiane në Ligën e Kampionëve e kemi nisur me barazim, duke luajtur 2:2 ndaj kampionëve të Kosovës, Ballkani.

Ndeshja pati një start të zjarrtë, teksa brenda 14 minutave u shënuan që të gjithë golat e këtij takimi, nga i cili në fund dolën të kënaqur që të dy trajnerët.

Ballkani na ndëshkoi shumë herët, kur brenda 4 minutave të para shënoi dy herë në rrjetën tonë.

Megjithatë falë një konsolidimi të shpejtë, skuadra jonë tregoi fytyrë kampioni, duke iu përgjigjur në të njëjtën mënyrë skuadrës kampione nga Kosova.

Ishte Bunjamin Shabani, ai i cili në minutën e 8-të barazoi shifrat, ndërsa 6 minuta më pas golin e dytë për skuadrën tonë e shënoi Marjan Radeski.

Këto dy gola ju dhanë krahë futbollistëve tanë, që shumë lehtë mund të ndodhte që në atë peridhë të shënonin edhe golin e tretë, të cilin e kërkuam edhe në pjesën e dytë, mirëpo që nuk erdhi dhe në fund me mysafirët nga Kosova u ndamë miqësisht.

Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Shpëtim Duro vendosi të provojë edhe dyshen që transferuam gjatë kësaj merkatoje, Mentor Mazrekaj dhe Senad Jaroviç, që zëvendësuan dyshen sulmuese Marjan Radeski – Besart Ibraimi, ndërsa nga minuta e 60-të, minutat e para me fanellën e Struga Trim Lum i kishte edhe përforcimi tjetër, Ardi Idrizi, 19-vjeçari që na u bashkua nga rradhët e skuadrës së Adana Demirspor.

Një duel tjetër, sërish ndaj një skuadre kampione, këtë herë ndaj kampionëve të Shqipërisë, Partizanit, do ta zhvillojmë me datë 30 qershor në Pogradec.