Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme ka prezantuar mbrojtësin e krahut të majtë, Gledi Mici, një lojtar me bagazh shumë të pasur, që në të kaluarën ka luajtur edhe në futbollin tonë vendor…
Gledi Mici te Struga Trim Lum vjen me një bagazh të pasur, teksa i njëjti mund të lëvdërohet me trofe nga tre shtetet fqinje ku ka luajtur në vazhdimësi , përfshirë këtu edhe një titull kampion në Maqedoni me Shkëndijën e Tetovës.
Me plotë 5 tituj Mici vjen si një lojtar kampion te Struga Trim Lum, duke u rikthyer në Maqedoni pas gati 5 viteve.
I njëjti kontratën një vjeçare e nënshkroi në praninë e Drejtorit Sportiv, Besart Isaku, i cili thotë se skuadra ka marrë një futbollistë me mjaft përvojë në vijën e fundit.

“Nëse shohim trofetë, por edhe ndeshjet që ka zhvilluar në kontinuitet gjatë këtyre viteve të fundit, mund të themi se Struga Trim Lum ka marrë një lojtar të plotë, që do i jep ngjyrë skuadrës. Do sjellë siguri në prapavi, por do jetë i dobishëm edhe për gjithë skuadrën, e në veçanti talentët e rinj. Neve si skuadër i dëshirojmë rikthim të suksesshëm në futbollin në Maqedoni” – u shpreh Drejtori Sportiv, Besart Isaku.
Ndeshjen e fundit në futbollin tonë vendor, Mici e kishte zhvilluar me datë 8 mars të vitit 2020 kundër Borecit. I njëjti në LPFMV numëron 52 ndeshje, 2 gola dhe plotë 17 asistime, më shumë se në çdo kampionat tjetër.
Ai ekipit të Struga Trim Lum i bashkëngjitet nga Superliga shqiptare, aty ku luante me shumë herë kampionët e Tiranës. Ndryshe në Superligën shqiptare, aty ku numëron plotë 246 ndeshje, Mici, kishte luajtur edhe me Aploninë, Kamzën, Skënderbeun, Kukësin dhe Flamurtarin. Pikërisht me këto dy të fundit, Mici kishte fituar në dy raste trofeun e Kupës së Shqipërisë, ndërsa i njëjti gjatë karrierës së tij kishte provuar veten të luaj edhe në Superligën e Kosovës, me skuadrën me më shumë trofe, FC Prishtina.
Te kjo skuadër Mici kishte qëndruar për gati dy vite e gjysmë, duke fituar titullin kampion dhe trofeun e Kupës.
Tituj dhe shumë paraqitje të suksesshme, Gledi Micit i urojmë edhe me petkun e Struga Trim Lum.
