Bassirou Compaore nga ndeshja në ndeshje po dëshmon cilësitë e tij, teksa i njëjti në dy ndeshjet e fundit kundër Gostivarit dhe Vardarit la gjurmë, duke shënuar dhe duke asistuar. Kjo ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Shpëtim Duro, por edhe vetë sulmuesin nga Burkina Faso, i cili ka folur në prag të takimit me Shkëndijën.
“Vërtetë Shkendija është një ekip i mirë, por ne jemi të përgatitur mirë për të fituar të dielën” – u shpreh fillimisht Bassirou Compaore, i cili nëse beson se mund të shënojë golin e parë në ndeshjet si vendas, tha: “Nuk më pëlqen të parashikoj, por do të bëj atë që duhet bërë të dielën”.
Compaore skuadrës tonë iu bashkua me 8 shtator, ndërsa i njëjti tregon edhe si erdhi deri te ky transferim.
“Transferimi im te Struga Trim-Lum ndodhi përmes agjentit tim që më propozoi projektin e klubit. Projekti më përshtatej dhe më lehtësoi transferimin.”
Compaore thotë se është pritur shumë mirë nga skuadra dhe se po përshtatet mirë.
“Jam pritur shumë mirë nga të gjithë brenda klubit duke përfshirë këtu edhe shokët e skuadrës, stafin teknik dhe veçanërisht trajnerin që besonte tek unë. Përshtatja po shkon shumë mirë deri tani.” – shprehet Compaore i cili kërkon që të ndihmojë skuadrën edhe në ndeshjet në vazhdim.
“Aktualisht jam në një rrugë të mirë, po punoj për të ruajtur këtë nivel, duke qëndruar i fokusuar për të ndihmuar gjithmonë ekipin tim”.
Compaore me fanellën e Struga Trim Lum këtë edicion numëron 8 ndeshje. Ai titullarë e kishte nisur vetëm një ndeshje, atë kundër Gostivarit, në të cilën edhe kishte gjetur golin.