Hadis Tairi të dielën kundër Shkëndijës zhvilloi ndeshjen e tij të parë të këtij sezoni. Ai mungoi nga fushat e futbollit për plotë 8 muaj…
Hadis Tairi pas një pauze prej 8 muajsh u rikthye në fushat e futbollit me fanellën e Struga Trim Lum. Pas ndeshjes me Shkëndijën e Tetovës, në të cilën skuadra barazoi me shifrat 1:1, mbrojtësi i krahut të majtë u shpreh tejet i lumtur.
“E prita me shumë emocion dhe përgjegjësi këtë ndeshje. Pas një periudhe të vështirë për shkak të lëndimit, rikthimi në fushë ishte diçka që e kam pritur me padurim. Ka qenë një kohë sfiduese për mua – fizikisht dhe emocionalisht – por kam punuar fort për t’u rikuperuar dhe për t’u rikthyer edhe më i fortë. Falë mbështetjes së klubit, kryesisë, stafit, familjes dhe shokëve të ekipit, i’a dola. Jam i lumtur që mund të ndihmoj skuadrën përsëri.” – u shpreh Hadis Tairi, i cili ishte dëmtuar në një nga stërvitjet e këtij sezoni, pak para ndeshjeve europiane të skuadrës tonë, ndërsa pas ekzaminimeve të hollësishme mjekësore, mjekët kishin konstatuar këputjen e ligamentit të gjurit të djathtë.

Tashmë kur dëmtimi i takon së kaluarës, Hadisi flet me shumë pasion edhe për ndeshjet kampionale, ku dëshiron të jap kontributin e tij. 19-vjeçari është në kombinim për ndeshjen e nesërme kundër Vardarit.
“E dimë që do të jetë një sfidë e fortë, edhe pse nuk kishim shumë hapësirë për tu stërvitur më shumë, prap se prap mendoj se jemi të përgatitur mjaftueshëm. Do të hyjmë në fushë me përkushtim dhe qetësi, duke besuar në veten dhe në lojën tonë. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të marrim një rezultat pozitiv.” – thotë Tairi, i cili në ndeshjen e fundit kundër Vardarit të zhvilluar në stadiumin kryesor pranë FFM-së, ku edhe do të zhvillohet takimi i nesërm, kishte arritur të shënojë golin e tij debutues në Ligën e Parë.

“Atë ndeshje nuk do e harrojë gjatë kohë. Pikërisht në atë ndeshje kisha shënuar golin debutues, ndërsa gjithashtu kisha asistuar, duke u rizgjedhur edhe si futbollistë i ndeshjes. Nesër luajmë sërish në të njëjtën fushë dhe ndaj të njëjtit kundërshtarë, shpresoj të përsëris një gjë të tillë, pse jo, por mbi të gjitha më shumë vlerë kuptohet do të kishte fitorja e skuadrës, loja e bukur dhe e pastërt për tifozët tanë, që meritojnë të ju gëzohen sukseseve tona” – deklaroi Hadis Tairi, i cili nesër pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 20-të me fanellën e Struga Trim Lum.
