Flet heroi i ndeshjes në Podgoricë

Marjan Radeski shkëlqeu mbrëmë kundër Buduçnostit në ndeshjen e kthimit të Ligës së Konferencës, duke shënuar “hat-trikun” e parë në garat europiane. Bashkë me të në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Besart Ibraimi, partneri i tij i sulmit të Struga Trim Lum, që në fund shënoi fitore 4:3 dhe me plotë meritë u kualifikua për në turin e tretë eliminatorë, aty ku skuadra jonë do të përballet me Hesperange nga Luksemburgu.

Pas përfundimit të ndeshjes, Radeski tepër i lumtur tha se për këto gola falënderon bashkëlojtarët e tij, pasi pa ndihmën e tyre nuk do të kishte arritur një gjë të tillë. Atë e gëzon fakti, se skuadra po funksionon si familje, ndaj edhe sukseset nuk po mungojnë.

“Ndeshje e shkëlqyer nga të gjithë ne. Më vjen mirë që ekipi më ndihmoi të realizojë ‘hat-trikun’ e parë në garat europiane. Vërtetë jam shumë falënderues, pasi nëse nuk do ishin bashkëlojtarët e mi, unë nuk do të kisha arritur këtë sukses. Vërtetë një ndjenjë e papërshkruar kjo për mua individualisht, por edhe për ekipin, pasi në këtë mënyrë ndihmova skuadrën për të shkruar historinë më të re. Mund të them lirisht se neve te Struga Trim Lum funksionojmë si një familje, ndaj edhe sukseset nuk po na mungojnë. Të gjithë futbollistët po japim maksimumin në terren, e mbi të gjitha mundohemi që në përpikshmëri ti zbatojmë urdhërat e trajnerit Duro, i cili po bënë një punë të shkëlqyer me skuadrën” – u shpreh Marjan Radeski, i cili paralajmëron veten, por edhe bashkëlojtarët, se festa duhet të përfundoj sot dhe tashmë të fokusohemi në kundërshtarin e rradhës që na pret.

“Mbrëmë festa ishte e jona, e që realisht është diçka normale pas këtij suksesi. Nga sot fokusohemi për ndeshjet e rradhës që vijojnë, na pret ndeshja kampionale kundër Gostivarit, e më pas edhe ajo e turit të tretë kundër Hesperange. Jemi me këmbë në tokë dhe si skuadër shkojmë hap pas hapi” – përfundoi Radeski, i cili me 3 golat e shënuar mbrëmë ndaj Buduçnost, tashmë në garat europiane numëron 6 gola.

Në fund të ndeshjes, Marjan Radeski kishte marrë topin me vete, tashmë diçka e zakonshme për çdo futbollistë që shënon “tripletë” në një ndeshje futbolli.

Ai këtë gëzim e ndau me Besart Ibraimin, partnerin e tij të sulmit te Struga Trim Lum.