Flamur Tairi: Kënaqësi të shpallesh kampion me skuadrën e vendlindjes

Nder dhe kënaqësi e dyfishtë titulli kampion me Strugën, skuadrën e vendlindjes time. Kështu e përshkruan suksesin më të madh në karrierë, por edhe në historinë e klubit tonë, kapiteni Flamur Tairi, i cili plotë 7 vite tashmë është pjesë e jona.

Ai për ndeshjen e nesërme kundër FC Shkupit, fton gjithë tifozët e vërtetë të futbollit, e në veçanti ata strugan që të jenë pjesë e këtij suksesi, pasi Struga nesër ka festë.

Është nder dhe kënaqësi e dyfishtë për mua që dola  kampion me FC Strugën, po kështu besoj se ndihet e gjithë Struga, ndaj shfrytëzoj rastin që t’ua uroj titullin kampion gjithë tifozëve të FC Strugës. Ka qenë një sezon fantastik me plot emocione për të gjithë ne dhe një titull kampion më se i merituar. Personalisht ndihem shumë krenar, jam pjesë e FC Strugës plot 7 vite dhe kam qenë në të gjitha sukseset  e saj. Ditën e diel kemi ndeshjen e fundit të kampionatit me FC Shkupin, ekip me të cilin kemi rivalizuar deri në fund këtë sezon. Besoj do jetë një ndeshje e bukur për të gjithë ne, pasi atë ditë do të jetë festë për  të gjithë Strugën”u shpreh kapiteni, Flamur Tairi.

Struga mezi pret trofeun e parë….

Ndeshja e ditës së djel pritet me padurim nga të gjithë ne, në qytet ka një entuziazëm të paparë, ku do që shkon flitet për titullin kampion, vijnë urime nga të gjitha anët dhe mezi presin ta shofin trofeun e parë dhe historik në Strugë”.

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe FC Shkupit të dielën starton në ora 17:00, me të cilën ndeshje edhe zyrtarisht mbyllim sezonin më të suksesshëm në histori, e ku në fund të ndeshjes me nder dhe krenari do të ngritim lartë trofeun e titullit kampion.