FITORE ME SHFAQJE KAMPIONI NË SHTIP

Golat e Besmir Bojkut, Besart Ibraimit dhe Hogan Ukpa i siguruan fitoren skuadrës tonë që me hapa të sigurtë po ngjitet lartë në tabelën e klasifikimit…

Ndeshja e parë e skuadrës tonë në rolin e mysafirit në sezonin e ri 2023/24 ka përfunduar me fitore 3:1 ndaj Bregallnicës në Shtip. Edhe këtë ndeshje trajneri Shpëtim Duro e nisi me emrat e njëjtë në 11-shen e parë, mirëpo me një renditje më ndryshe, duke vendosur 4 futbollistë në mbrojtje, me Zguron që kishte detyra më mbrojtëse këtë herë në krahun e majtë, aty ku në vijën e sulmit vepronte Mentor Mazrekaj. Përveç tij në vijën e sulmit ishte edhe dyshja Radeski dhe Ibraimi, me këtë të fundit i cili vazhdoi me shënimin e golave, por edhe lojës së mirë, pavarësisht moshës.

Pikërisht një goditje e fuqishme e ekzekutuar nga Besart Ibraimi që në minutën e 6-të, bëri që portieri vendas të devijoi topin vetëm deri te koka e Besmir Bojkut, i cili nuk fali dhe nga afërsia shënoi për 1:0. Ky gol solli gëzim në mesin e bankinës tonë, por edhe shqetësim pas kartonit të dytë të verdhë, të Hristijan Georgievskit në minutën e 20-të.

Sipas trajnerit Shpëtim Duro, përjashtimi i mesfushorit tonë ishte i drejtë, mirëpo jo edhe ai i Besmir Bojkut në minutën e 68-të, në pjesën e dytë.

“Kartoni i dytë i Georgievskit ishte i drejtë dhe nuk mund të them asgjë në këtë aspekt, megjithatë mendoj se kartoni i kuq ndaj Bojkut nuk ishte i drejtë, duheshe vetëm i verdhë” – u shpreh trajneri Duro, që kishte mbetur i kënaqur me fitoren e sotme.

“Mund të them se ishte një fitore karakteri. Mendoj se këtë ndeshje duheshe që ta mbyllnim që në pjesën e parë” – deklaroi profesori Shpëtim Duro.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të skuadrës tonë dhe me dy kartonë të kuq, pasi përveç Georgievskit, me të kuq arbitri kryesor në minutën e 27-të, ndëshkoi edhe mbrojtësin e Bregallnicës, Halid Lwaliwa.

_______________________________________________________________________________________________________________

Pjesa e dytë doli të jetë shumë më interesante dhe shumë më efikase, kur janë në pyetje golat e shënuar.

Ishin vendasit ata të cilët të parët shënuan në këtë pjesë, duke na ndëshkuar me Kalpaçkin në minutën e 56-të. Mirëpo këtij gëzimi të vendasve, e në veçanti tifozëve të Bregallnicës, në mënyrë eksprese iu kundërpërgjigjë Besart Ibraimi vetëm një minutë më pas, duke realizuar një super gol, që tashmë jemi mësuar ti shohim shpesh në repertoarin e tij.

Gjithçka nisi nga krahu i djathtë, aty ku Neziri sërish ishte në nivel të detyrës, madje duke kryer me sukses edhe ato ofenzive, kur pasi pranoi një top në zonën kundërshtare, të njëjtin e riktheu deri te këmbët e Ibraimit, i cili zgjodhi detyrën e tij pa shumë probleme, duke shënuar vërtetë një gol shumë të bukur.

Në minutën e 68-të arbitri edhe njëherë tjetër doli në skenë, duke ndëshkuar me të kuq edhe autorin e golit të parë, Besmir Bojkun.

Mirëpo pavarësisht se patëm mungesën e tij në 30 minutat e fundit të takimit (përfshirë këtu edhe shtesën), në asnjë moment nuk u vërejtë ndonjë rënie në lojën e skuadrës tonë. Madje trajneri Duro në 20 minutat e fundit të takimit bëri edhe tre zëvendësime, duke inkuadruar në lojë Flamur Tairin, Senad Jaroviçin dhe nigeriain, Hogan Ukpa.

Pikërisht kjo treshe rezultoi pozitive, pasi udhëhoqin aksionin e fundit të skuadrës tonë në minutën e 94-të, kur edhe shënuam golin e tretë dhe të sigurisë me anë të nigerianit, i cili në këtë mënyrë shënoi edhe golin e tij të tretë personal në përballjet ndaj skuadrës nga Shtipi.

FITORJA E TRETË NË SEZONIN E RI

Fitorja e sotme ndaj Bregallnicës ishte e treta nga gjithsej 4 ndeshje të zhvilluara në sezonin e ri, në të cilin tashmë numërojmë 9 pikë dhe aktualisht mbajmë pozitën e 7-të në tabelën e klasifikimit.

NDESHJA E RRADHËS

Ndeshjen e rradhës në kampionat do ta zhvillojmë me 24 shtator në terren vendas kundër skuadrës së Rabotniçkit.