Fitore historike ndaj Buduçnost

Struga Trim Lum ka regjistruar fitoren e parë historike në garat europiane. Në edicionin e dytë që luajmë në Europë, sot në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Konferencës mundëm ekipin e Buduçnost nga Mali i Zi me rezultatin 1:0.

Është kjo vetëm ndeshja jonë e 5-të në garat europiane, aty ku regjistrojmë edhe dy barazime dhe dy disfata, por që fitorja e sotme na hap rrugë drejt kualifikimit në turin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës.

Ekipi ynë nisi i orientuar në sulm që nga fillimi, duke kërkuar gol që në fazën e hershme.

I pari që u kanos, ishte Besart Ibraimi kur në minutën e 7-të, bëri gjithçka mirë në zonën kundërshtare, mirëpo goditja e tij në momentin e fundit u bllokua mjaft mirë nga mbrojtësi kundërshtarë Axhiç.

Katër minuta më vonë partneri i Ibraimit në sulm, Marjan Radeski, lëshoi një predhë të vërtetë me të majtën e tij, mirëpo në vendin e duhur këtë herë ishte portieri mysafir.

Aksionet e rrezikshme vazhduan të zhvillohen para portës mysafire, me Ibraimin, i cili në minutën e 21-të, goditi shtyllën pingule.

5 minuta më vonë edhe një aksion tjetër i bukur i Struga Trim Lum, me Shabanin, që shërben Ibraimin në zonë, ky i fundit mjaft mirë uli topin për Bojkun, mirëpo goditja e numrit 10-të përfundoi vetëm mbi portë.

Pas gjithë këtyre rasteve, në minutën e 30-të shënojmë golin e avantazhit, falë Besart Ibraimit, i cili me mjaft mjeshtëri nga brendia e zonës në tentativën e tij të tretë arriti që të gjejë rrjetën e Pavliçiç.

Mirëpo kjo nuk ishte e tëra nga repertoari i Besart Ibraimit gjatë pjesës së parë, pasi i njëjti u kanos edhe tre herë të tjera, me portierin Pavliçiç që në dy raste ndali goditjet e bomberit tonë, derisa një herë tjetër reagoi mbrojtja e skuadrës malazeze.

Edhe pjesa e dytë nisi me inciativën e skuadrës tonë, ndërsa kanosjen e parë e regjistrojmë në minutën e 51-të, kur pas pasimeve të njëpasnjëshme dhe të sakta, Radeski para zonës pasoi për kapitenin Bunjamin Shabani, goditja e të cilit përfundoi vetëm mbi portë.

Një tjetër rast përmes të cilit mund të shënonim golin e dytë të sigurisë, ishte ai i minutës së 73-të, kur pas harkimit të Besart Ibraimit nga krahu i djathtë, shumë pak mungonte që Radeski të shënonte të portën kundërshtare.

I fundit që u kanos ishte Mexhit Neziri, edhe atë në minutat shtesë të takimit, mirëpo që edhe njëherë tjetër mbrojtja mysafire arriti të reagojë, duke evituar rrezikun.

Në fund fitore minimale, por që jep shpresa për një kalim tutje në raundin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës.

_______________________________________________________________________________________

Struga Trim Lum – Buduçnost    1:0 (1:0)

  • Turi i dytë eliminatorë i Ligës së Konferencës
  • Ndeshja e parë
  • Stadiumi: Ohër (26.07.2023)

Formacioni i Struga Trim Lum:

V. Qoshevski; M. Neziri, S, Radiç, B.Krivanjeva; E. Maliqi (H. Ukpa), B. Bojku, F. Tairi, M. Mazrekaj (V. Zguro); B. Shabani, B. Ibraimi (S. Jaroviç), M. Radeski (A. Jahja)

Trajner: Shpëtim Duro

____________________________________________________________________________________

Kronologjia e ndeshjes

Min, 1, Starton ndeshja

Min. 7, Besart Ibraimi mjaft bukur lëviz në zonën kundërshtare, mirëpo goditjen e tij përfundimtare e ndali mbrojtësi kundërshtarë Axhiç

Min. 11, aksion i bukur i tanëve, Radeski lëshon një bombë të vërtetë nga vija e 16-të metërshit, mirëpo me një intervenim bravuroz, portieri mysafir nuk lehon gëzimin e sulmuesit tanë

Min. 21, Super Ibraimi nga e djathta mjaft mirë depërton nga e djathta, duke fituar hapësirën për të goditur me të majtën e tij, mirëpo vetëm shtylla shpëton mysafirët nga Mali i Zi

Min. 26, edhe një aksion tjetër i bukur i Struga Trim Lum, me Shabanin, që shërben Ibraimin në zonë, ky i fundit mjaft mirë uli topin për Bojkun, mirëpo goditja e tij përfundoi vetëm mbi portë

Min. 28, Ibraimi në duel një me një me Grbiç, rrëzohet në zonën kundërshtare, mirëpo arbitri kryesor i tregoi kartonin e verdhit sulmuesit tanë për simulim

GOOOOOL…..Min. 30, Megjithatë Ibraimi e ndëshkoi ekipin mysafir në aksionin e rradhës. Pasi pranoi një top në zonën kundërshtare me të majtën e tij shënoi për 1:0

Min. 34, Besart Ibraimi sërish shfaqet i rrezikshëm këtë herë me një goditje nga distanca, mirëpo vetëm në duart e portierit kundërshtarë

Min. 35, Ibraimi sërish vë në rrezik portën kundërshtare, mirëpo edhe njëherë tjetër në vendin e duhur ishte portieri Pavliçiç

Min. 37, Ibraimi godet edhe njëherë tjetër nga brendia e zonës, mirëpo këtë herë goditja e tij bllokohet nga mbrojtja mysafire

Min. 45, Starton pjesa e dytë

Min. 51, Pas një sërë pasimesh të futbollistëve tanë, Bunjamin Shabani pranoi një top nga Radeski para zonës kundërshtare, mirëpo goditja e tij nuk doli të jetë precize

Min. 73, Besart Ibraimi nga krahu i djathtë harkon bukur në zonën kundërshtare, mirëpo brenda 5 metërshit të portierit mysafir, shpërdoron rastin më të mirë të pjesës së dytë, Marjan Radeski, i cili më pas kërkoi edhe ndihmën mjekësore

Min. 79, Largohen Mentor Mazrekaj dhe Besart Ibraimi, inkuadrohen në lojë Vangjel Zguro dhe Senad Jaroviç

Min. 84, Largohen Marjan Radeski dhe Edis Maliqi, inkuadrohen në lojë Abdylhadi Jahja dhe Hogan Ukpa

Min. 90+2’, Mexhit Neziri shfaqet i rrezikshëm para portës kundërshtare, mirëpo reagon me sukses mbrojtja mysfaire, duke devijuar topin në rivënie nga këndi