Fitore e madhe në Shkup, Ibraimi rikthehet me gol, Zguro dhe Mazrekaj shënojnë golat debutues

Edhe pse pritej të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar ajo e sotmja në Shkup kundër Makedonija Gj.P, në fund e njëjta rezultoi të jetë shumë e lehtë për ne, duke pasur parasysh se në fund regjistruam një fitore të madhe, 3:0.

Në këtë mënyrë skuadrës nga Gjorçe Petrovi iu hakmorëm për atë disfatë në finalen e Kupës së Maqedonisë të edicionit të kaluar, kur humbëm vetëm përmes ruletit të penaltive.

Që nga fillimi skuadra jonë u duk shumë e përqëndruar, kjo pasi edhe aksionet e para dolën të jenë të rrjedhshme dhe me shumë klas.

Pas 8 minutave lojë, neve gjetëm golin e parë të takimit. Marjan Radeski para zonës kundërshtare pasoi për Mentor Mazrekajn, i cili me mjaft nuhatje, duke përcjellë aksionin me vëmendje pasoi në të majtë për Vangjel Zguron, i cili funksionoi me të majtën e tij, duke çuar topin në rrjetë për rezultat 1:0.

Edhe pas këtij goli skuadra jonë vazhdoi të jetë dominuese në fushë, teksa në minutën e 35-të Ibraimi pas një veprimi individual shumë pak mungonte që të shënonte edhe golin e dytë.

Në minutën e 42-të, Ibraimi, Neziri dhe Shabani në të njëjtin aksion tentuan për të goditur në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo që të tre u bllokuan nga mbrojtja vendase, e cila kapituloi në aksionin e rradhës, kur sërish në skenë doli dyshja Radeski-Mazrekaj, me këtë të fundit që me mjaft qetësi shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Makedonija GJ.P.

Deri në mbyllje të pjesës së parë regjistrojmë edhe një tentativë tjetër të Ibraimit, kjo falë Bunjamin Shabanit që ndërpreu një aksion të vendasve në mesfushë, mirëpo këtë herë nuk mungoi intervenimi i portierit vendas, që nuk lejoi të mposhtet edhe për herë të tretë që në pjesën e parë.

Edhe në pjesën e dytë skuadra jonë vazhdoi me stilin dhe tempon e njëjtë, pavarësisht dy golave epërsi. Ibraimi vetëm pas 4 minutuave të kaluara në këtë pjesë mjaft mirë depërtoi nga krahu i majtë brenda zonës kundërshtare, duke gjetur aty pranë Marjan Radeskin, goditja e të cilit nuk ishte precize.

Radeski në minutën e 62-të për shkak të një dëmtimi, duke luajtur edhe rolin e mbrojtësit, duheshe të braktis fushën. Në vend të tij u inkuadrua Hogan Ukpa.

10 minuta pas kësaj ndërprerje, ku duheshe ti jepet edhe ndihma e mjekësve sulmuesit tonë, Ibraimi duke mos qenë vetiak, brenda zonës kundërshtare kombinoi me Besmir Bojkun, goditja e të cilit përfundoi vetëm në shtyllë.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më pas, Ibraimi tentoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo pa sukses.

Golin e tretë e gjetëm në minutën e 82-të, ndërsa i njëjti duhet veçuar nga të tjerët, pasi erdhi pas shumë pasimeve të njëpasnjëshme, ku në një moment kontakt me topin kishte edhe portieri Vedran Qoshevski, ndërsa falë insistimit të Compaore dhe pasimit me kohë të Besmir Bojkut, sulmuesi Besart Ibraimi realizoi edhe golin e tretë për skuadrën tonë.

Ishte ky goli i parë pas një pauzë tre javore mungesë nga fushat e futbollit për goleadorin e skuadrës, i cili në këtë mënyrë arrinë në shifrën e 5 golave të shënuar, po aq sa ka edhe Marjan Radeski.

Goli i Ibraimit ishte edhe i fundit në këtë takim të dominuar plotësisht nga skuadra jonë, që në mesjavë në Ohër do të zhvillojë ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë kundër Voska Sport.

________________________________________________________________________________________________________________

LPFMV | Java 11

MAKEDONIJA GJ.P – STRUGA TRIM LUM 0:3

⚽️ V. Zguro 8’, ⚽️ M. Mazrekaj 43’, ⚽️ B. Ibraimi 81’

Stadiumi: Gjorçe Petrov

Shikues: 500

________________________________________________________________________________________________________________

Arbitër kryesor: Stojançe Trpçecski (Kavadar)

Ndihmës i parë: Petar Novaçev (Veles)

Ndihmës i dytë: Andrej Qamillov (Veles)

Arbitër i katërt: Aleksandar Vasielsvki (Shkup)

Kartonë të verdhë: B.Ilievski (Makedonija GJ.P) – B. Shabani (Struga Trim Lum)

________________________________________________________________________________________________________________

FORMACIONET:

Makedonija GJ.P: Stevkovski, Ilievski, Manev, Mishevski, Pecov, Stoilov, Samake, Stojkov, Aleksovski, Aliji, Fazli’

STRUGA TRIM LUM: V. Qoshevski, M.Neziri, S. Radiç, V. Zguro ⚽️; H. Georgievski, B. Bojku, B.Shabani; M. Radeski, B. Ibraimi ⚽️, M. Mazrekaj ⚽️;