Duro flet për ndeshjen me Gostivarin, por edhe aventurën europiane

Shpëtim Duro në një intervistë më të gjërë, përveç që ka folur për ndeshjen e parë të sezonit të ri kundër Gostivarit, gjithashtu ka folur edhe për aventurën europiane. Ai është tepër i kënaqur me performancën e skuadrës në këto gara, ndërsa sa i përket kampionatit, shpreson që skuadra të ketë të njëjtën qasje, pasi fillimi i një sezoni të ri është i rëndësishëm për ecurinë e skuadrës gjatë gjithë kampionatit.

Pritjet nga ndeshja me Gostivarin…

“Sigurisht që kemi pasur dendësi ndeshjesh, deri para tre ditësh luajtëm me Buduçnostin, ndërsa tash fillojmë me kampionatin. Patjetër është histori tjetër, kemi një kundërshtarë që ka qenë shumë aktiv në merkato, nuk kam njohuri qindtpërqindtë për skuadrën e Gostivarit, pasi ishim të përqëndruar te ndeshjet europiane, por do mundohemi që në ndeshjen e parë të japim, maksimumin. Skuadra tregoi në ndeshjet europiane që është një skuadër jashtëzakonisht solide, shumë e fortë,  ndërsa këtë kemi dëshirë ta shprehim edhe në kampionat, si kampion në fuqi.”

Epiteti kampion, Struga tashmë vlerësohet ndryshe…

“Patjetër që emri i skuadrës së Struga Trim Lum tani vlerësohet ndryshe, ka marrë dimension tjetër, si në futbollin vendor, poashtu edhe në Europë, kështu që është një skuadër që do të vlerësohet nga të gjithë, por ne jemi një skuadër që kemi futbollistë me shpirtin e garës dhe besoj tek ata, pasi janë futbollistë që shkelin me këmbë në tokë.”

Ngarkesa nga ndeshjet europiane…

“Sigurisht që kemi pasur ngarkesë të jashtëzakonshme në ndeshjet e Europës, kemi luajtur me të njëjtit lojtar, dhe e kanë përballuar jashtëzakonisht mirë, do të mundohemi aq sa na jep mundësia që të realizojmë, të bëjmë rotacion të pjesshëm në ndeshjet e kampionatit.”

Sa jeni i kënaqur nga Aventura europiane…

Nga Aventura europiane jam i kënaqur 100%, jo vetëm unë, por i gjithë ambienti, të gjithë flasin për Strugën, patjetër peng më ka mbetur eliminimi nga Zhalgirisi, ishte një eliminim që nuk e meritonim, por ajo ishte një skuadër shumë e fortë, juve e patë edhe në dy ballafaqimet me Galatasarajin.”

Kundërshtari i rradhës në Europë….

“Kemi kundërshtarë kampionin e Luksemburgut, Swift Hesperange, që eliminoi kampionin e Uellsit. Është një skuadër shumë e mirë, nuk ka futbollistë vendor, janë futbollistë profesionist që u shpallën kampion në Luksemburg, duke e lënë pas ekipin e Dudelanzh, që ishte surpriza e Europës, kjo tregon nivelin e saj si skuadër.”