Disfatë në ndeshjen e parë kontrolluese në Antalia të Turqisë

Struga Trim Lum është mundur nga skuadra ruse e Orenburg, në ndeshjen e parë kontrolluese që skuadra jonë e zhvilloi në Antalia të Turqisë….
________________________________________________________________________________________________________________
Të besuarit e Shpëtim Duros ndeshjet kontrolluese në Antalia të Turqisë i kanë nisur me disfatë (1:5), pasi sot u mundën nga skuadra e Orenburg, pjesë e elitës së futbollit rus.

Ndeshja e zhvilluar në “Calista Luxory Resort Sports Center” prodhoi një pjesë të parë shumë të mirë për skuadrën tonë, që në disa raste rrezikoi dukshëm portën kundërshtare, kryesisht përmes dyshes sulmuese, Besart Ibraimi dhe Bassirou Compaore, të cilët vazhdimisht shërbeheshin me topa nga ana e kapitenit Bunjamin Shabani.

Pikërisht një lëvizje e bukur e kapitenit tonë para zonës dhe pasimi me kohë për Ibraimin në minutën e 23-të, bënë që skuadra jonë të avansoi e para në këtë përballje.

Kundërshtari na ndëshkoi në minutën e 30-të, kur pas një pakujdesie në krahun e djathtë të mbrojtjes, Sivakov barazoi në 1:1.

Edhe pas këtij goli, skuadra jonë vazhdoi të bëjë mirë në fushën e blertë, duke u kanosur sërish përmes dyshes Ibraimi-Compaore, teksa raste për të shënuar në këtë periudhë patën edhe dy futbollistët e repartit mbrojtës, Hadis Tairi dhe Besart Krivanjeva.

Mirëpo në futboll kur rastet nuk shfrytëzohen, atëherë ndëshkohesh. Kështu ndodhi edhe me neve në minutën e fundit të pjesës së parë, kur sërish nga krahu i djathtë i mbrojtjes tonë, Orenburg shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me autorë Vorobjev.

Pjesa e dytë nisi me një rast të shkëlqyeshëm për Ibraimin, mirëpo i njëjti duke refuzuar të bashkëpunojë me Radeskin, goditi vetëm portierin kundërshtarë, i cili në ato momente mjaft mirë kishte mbuluar këndin nga i cili tentoi të shënojë sulmuesi ynë.

Pasoi një periudhë e lojës, ku në qendër të vëmendjes doli të jetë arbitri kryesor, që në dy raste na ndëshkoi duke treguar penalti shumë të dyshimta, e që u finalizuan me gola nga ana e futbollistëve kundërshtarë Stolbov dhe Obukhov.

Brenda kësaj periudhe, kur futbollistët tanë ishin të demoralizuar me gjithë ato vendime të arbitrit, argjentinasi Perez shënoi edhe një gol tjetër.

Trajneri Duro në pjesën e dytë ju dha mundësinë edhe disa prej futbollistëve na bankinë, përfshirë këtu edhe portierin Kristijan Kitanovski.

Skuadra prej nesër vazhdon me përgatitjet e zakonshme, derisa ndeshjen e dytë do ta zhvillojmë me 27 janar kundër FC Arka Gdynia nga Polonia.
________________________________________________________________________________________________________________

ORENBURG – STRUGA TRIM LUM 5:1
Golashënues: Besart Ibraimi (23′)
FORMACIONI STARTUES
Struga Trim Lum; V. Qoshevski, E. Maliqi, V. Krivanjeva, S. Radiç, H. Tairi, B. Shabani, B. Bojku, A.Kasami, F. Tairi, B. Ibraimi, B. Compaore