Caktohen ndeshjet kontrolluese për fazën e përgatitjeve në Antalia të Turqisë

Struga Trim Lum vazhdon fazën përgatitore në Strugë, ku stafi teknik vëmendje më të madhe po i kushton akumulimit të forcës fizike dhe kondicionale, para se në fazën e dytë të hidhet vëmendja te ndërtimi i lojës për vazhdimin e kampionatit.

Pikërisht për këtë arsye, stafi teknik në bashkëpunim me kryesinë kanë caktuar tashmë itenerarin e përballjeve kontrolluese që do të zhvillohen në kuadër të fazës së dytë përgatitore në Antalia të Turqisë, prej datës 20 janar deri më datë 3 shkurt.

Nga katër ndeshje të caktuara kontrolluese, rivali i parë i yni do të jetë skuadra ruse e FC Orenburg (23 janar).

FC Arka Gdynia nga Polonia do të jetë kundërshtari i dytë në tokën turke, ndeshje kjo që në program do të jetë me datë 27 janar, ndërsa vetëm dy ditë më vonë, përballë do të kemi ukrainasit e FC Chornomorets Odesa.

Ndeshjen e fundit në Antalia të Turqisë do ta zhvillojmë me datë 02 shkurt kundër FC LKS Lodz nga Polonia, ndërsa prova gjenerale para startit të sezonit të ri do të jetë ajo kundër Tikveshit me datë 10 shkurt.