FC Shkupi, skuadra e preferuar e Besart Ibraimi!

Struga Trim Lum në kuadër të xhiros së 20-të në Ligën e Parë do të miëpret FC Shkupin. është kjo një ndër ndeshjet më të rëndësishme për skuadrën tonë, ndërsa e veçantë për bomberin, Besart Ibraimi, i cili nesër kundër kësaj skuadre do të zhvillojë ndeshjen e 23-të, më shumë se ndaj çdo skuadre tjetër të elitës….

Besart Ibraimi të shtunën kundër FC Shkupit do të zhvillojë takimin e tij të 23-të. Një gjë të tillë nuk e ka bërë ndaj asnjë skuadre deri më tani, ndërsa vlen të theksohet se pikërisht ndaj kundërshtarit të nesërm, Ibraimi numëron më së shumti gola në karrierën e tij.

17 gola në 22 ndeshje deri më tani për Ibraimin, i cili dy gola përballë FC Shkupit ka realizuar edhe me fanellën e skuadrës tonë.

Ibraimi pritet të jetë rreziku më i madh për portën kundërshtare edhe në takimin e nesërm në Strugë, aty ku pret një përkrahje të madhe nga ana e tifozërisë strugane.

“Do jetë një ndeshje e vështirë, përparësia jonë është që do të luajmë në terrenin tonë, para publikut tonë, ashtu që shpresojmë se tifozët tanë do të na japin përkrahjen e duhur, për të shpresuar në fund tek fitorja.”

Ndeshja e nesërme, e 23-ta kundër FC Shkupit…

“Kam zhvilluar shumë ndeshje kundër Shkupit. Në këto ndeshje të rëndësishme, secili lojtar duhet të jap kontribut sa më të madh, për të arritur ojektivin e ekipit, e që pa dyshim se edhe këtë herë është fitorja.”


Gol kundër FC Shkupit….

“Unë personalisht në çdo ndeshje futem për të shënuar, pavarësisht kundërshtarit që kam përballë. është e vërtetë që ndaj Shkupit kam shënuar më së shumti gola, dhe me siguri se do të doja që atë seri ta thelloja edhe më shumë, por mbi të gjitha, sidomos për takimin e nesërm, me rëndësi është që të fitojë skuadra.”

Titulli kampion…

“Besoj se do të ketë një luftë të ashpër deri në fund të kampionatit mes nesh, FC Shkupit dhe Shkëndijës. Sigurisht që neve si kampion aktual do mundohemi që të përsërisim suksesin e vitit të kaluar, kuptohet duke dhënë më të mirën në terren, mirëpo pasi ka ende shumë xhiro për tu zhvilluar, them t’ia lëmë kohës dhe në fund do shohim se kush do të jetë kampioni”.

Edhe edicionin e kaluar së bashku me FC Shkupin luftuam deri në fund për titullin e kampionit. Të njëjtin e kishim siguruar disa xhiro më herët, ndërsa në ndeshjen e fundit të sezonit 2022/23 luajtëm pikërisht ndaj tyre, duke i mundur me shifrat 2:1 dhe në fund duke festuar si kampion të vërtetë.