Bekim Kamberi flet për golin debutues dhe ndeshjen me Voska Sport

Bekim Kamberi morri vëmendjen për një çast në ndeshjen e fundjavës së kaluar, kur për herë të parë e nisi një ndeshje si titullarë, ndërsa këtë më së miri e pasqyroi me golin e vetëm të shënuar, që në fund doli të jetë edhe vendimtarë në fitoren 1;0 ndaj Rabotniçkit.

Ky gol ka lumturuar futbollistin 19-vjeçar, i cili skuadrës tonë iu bashkua kah mesi i muajit gusht, kur erdhi si përforcim nga Danimarka, aty ku kishte luajtur me ekipin U19 të Hellerup IK, ndërsa gjithashtu kishte provuar veten edhe tek Brondby.

Nuk e prisja të shënoja, sidomos në ndeshjen time të parë si startues në ndeshjen kundër Rabotniçkit. Goli më ka lumturuar shumë. Është një hap i mire për mua dhe shpresoj në një fillim të mbarë” – u shpreh fillimisht Kamberi, i cili foli edhe për mikëpritjen që i ka bërë skuadra.

“Shokët e skuadrës më kanë ndihmuar shumë. Ata ishin dhe ende janë pranë meje për të më ndihmuar,  për të më ngritur më lartë dhe për t’i parë gjërat shumë pozitivisht. Është një gjë e mirë për një lojtar si unë që vjen nga Danimarka në një vend krejtësisht tjetër, ndaj dhe shfrytëzoj rastin ti falënderojë” – thotë Kamberi, i cili me futboll ka filluar të merret që në moshën 6-vjeçare.

Kamberi është pjesë e grupit të lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Shpëtim Duro edhe për takimin e sotëm kundër Voska Sport. Është e trajnerit për të vendosur, nëse 19-vjeçari do të startojë sërish nga minuta e parë, apo në lojë do të inkuadrohet nga bankina, mirëpo një gjë është e sigurtë, Kamberi thotë se do të jap më të mirën nga vetja për të ndihmuar skuadrën.

“Për inkuadrimin tim gjithsesi se vendos trajneri. Qoftë startues, apo edhe nga bankina, unë jam i gatshëm për të ndihmuar skuadrën. Edhe kundër Voska Sport shkojmë për tre pikët e plota, si gjithmonë. Voska është një skuadër e re dhe shumë e mirë, ndaj duhet të kemi kujdes dhe të jemi të vëmendshëm. Premtoj se do të japim gjithçka nga vetja, me qëllim për të vazhduar me serinë pozitive sin ë këtë ndeshje, ashtu edhe në ndeshjet që na presin në vijim” – përfundoi Kamberi, i cili debutimin e tij me fanellën e Struga Trim Lum e kishte bërë në ndeshjen kundër AP Brera, kur në lojë ishte inkuadruar në 12 minutat e fundit të takimit.