Barazim pa gola ndaj Sileksit në Kratovë

Edhe në ndeshjen e tretë të stinorit pranveror, skuadra jonë barazoi, këtë herë ndaj Sileksit në Kratovë. Edhe në këtë ndeshje skuadra jonë krijoi më shumë se kundërshtari, madje arriti të gjejë golin, mirëpo i njëjti falë një vendimi të arbitrit kryesor, Grujoski, u anulua….

Edhe një barazim tjetër në ndeshjet e stinorit pranveror, gjithsej i treti nga po aq ndeshje të zhvilluara. Këtë herë barazuam pa gola ndaj Sileksit në Kratovë, ndaj së cilës skuadër kishim dominim të plotë, mirëpo që edhe në këtë ndeshje na mungoi finalizimi.

Besart Ibraimi në minutën e 18-të vuri në mjaft vështirësi portierin vendas, Daniel Bozhinovski, i cili devijoi topin në rivënie nga këndi. Vetëm një minutë më pas, ishte Compaore, ai i cili tentoi nga distanca, mirëpo goditjen e tij e ndaloi mbrojtësi boshnjak, Muharem Trako, i cili në ato momente mund të thuhet se edhe flijoi veten, duke goditur topin me kokë.

Pasuan disa minuta ku vendasit arritën të barazpeshojnë lojën, teksa me anë të Antonio Kalanoskit, ata na rrezikuan në minutën e 32-të.

4 minuta më vonë, pas një harkimi të Besart Ibraimi brenda zonës kundërshtare, Shaban Zenku, kërceu më së larti dhe me kokë tundir rrjetën e vendasve, mirëpo për çudi, arbitri kryesor Aleksandar Grujoski, fërshëlleu, duke treguar goditje dënimi në favorin tonë, pas ndërhyrjes ndaj mbrojtësit tonë, Sava Radiç.

Një vendim i gabuar, apo ndoshta i ngutur nga ana e arbitrir kryesor, i cili në ato momente veçmë pa topin në rrjetë, mirëpo i njëjti vendosi të tregojë në pikën e bardhë, duke anuluar golin debutues të Zenkut.

Pasi në ndeshjen e javës së kaluar, Ibraimi kishte gabuar nga pika e bardhë, këtë herë përgjegjësinë e ekzekutimit e morri, Vangjel Zguro, i cili vendosi të godas në mes dhe fuqishëm, mirëpo Bozhinovski me këmbët e tij i ndaloi festën futbollistit tonë.

Bunjamin Shabani doli sërish në skenë, mirëpo goditja e tij këtë herë u ndal nga mbrojtja vendase.

Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim në rradhët tona. Vendin e Ard Kasamit, e zuri Hogan Ukpa. Me inkuadrimin e nigerianit, loja jonë përfitoi në fantazi më shumë në mesfushë, aty ku dominuam në tërësi, ndërsa në disa raste rrezikuam konkretisht portën e vendasve.

Rastin më të mirë e regjistrojmë në minutën e 86-të, kur Shabani pasi doli i vetëm në momentet vendimtare vendosi të pasojë për Besart Ibraimin, i cili ndoshta edhe duke mos pritur një dhuratë të tillë nga bashkëlojtari, nuk refelktoi në ato momente, duke lëshuar rastin për të shënuar.

Ibraimi tentoi edhe në minutën e 95-të, kur i vetëm përfitoi hapësirën e duhur në zonën kundërshtare, mirëpo goditja e tij nuk doli të jetë precize.

Kështu ndeshja mbyllet sërish me barazim, njëjtë sikurse para dy javësh, kur në Shkup barazuam me Rabotniçkin.

Pas këtij barazimi sërish renditemi në pozitën e dytë, me 42 pikë, vetëm një më pak se FC Shkupi, ndërsa ndeshja e rradhës na pret këtë të mërkurë, kur në Strugë do të mirëpresim Makedonija GJ.P.

________________________________________________________________________________________________________________

SILEKSI – STRUGA TRIM LUM 0:0

Stadiumi i qytetit: Kratovë
Shikues: 500

Arbitër Kryesor: Aleksandar GRUJOSKI
Kartonë të verdhë: M. Nikoliç, V. Serafimovski (Sileksi) – S. Radiç, B. Ibraimi, B. Compaore (Struga Trim Lum)

________________________________________________________________________________________________________________

FORMACIONET:
Sileksi: D. Bozhinovski, G. Djekov, M. Trako, D. Angjeleski, M. Nikoliç, I. Subert, V. Serafimovski, M.Ousman, S. Milosavljeviç, L. Ignatov, A. Kalanoski

Struga Trim Lum: V. Qoshevski, M. Neziri, S. Radiç, B. Krivanjeva, V. Zguro, A. Kasami (H. Ukpa), B. Shabani, Sh. Zenku (B. Kamberi), M. Mazrekaj (M. Radeski), B. Compaore, B. Ibraimi