Barazim pa gola kundër Rabotniçkit në Shkup

Barazim pa gola në Shkup përballë Rabotniçkit, në ndeshjen e parë të stinorit pranveror. Ishte ky barazimi i parë për skuadrën tonë këtë edicion, që erdhi vetëm në xhiron e 19-të….


Në një ndeshje tipike kampionale, ku gjatë dy pjesëve kishim disa raste të qindtpërqindta për të shënuar golin e avantazhit, në fund nga transferta kundër Rabotniçkit në Shkup, u rikthyem me barazim pa gola.

Pjesa e parë doli të jetë shumë e luftuar dhe me më pak raste shënimi për gol nga të dyja anët. Rastin më të mirë në këtë pjesë e kishte Marjan Radeski, i cili në minutën e 36-të, pasi pranoi një top para zonës kundërshtare lëshoi një bombë të vërtetë me të majtën e tij, duke vënë në mjaft vështirësi portierin Aleksovski, që me shumë sakrificë devijoi topin në rivënie nga këndi.

Pjesa e dytë rezultoi të jetë edhe më efikase, për sa u përket rasteve për gol, e ku në qendër të vëmendjes ishte treshja sulmuese, Ibraimi-Compaore-Radeski.

I pari që ishte shumë pranë golit në këtë pjesë, ishte Besart Ibraimi. Ky i fundit pranoi një top nga kapiteni Bunjamin Shabani në zonën kundërshtare, mirëpo goditjen e tij e devijoi mbrojtësi i “romantikëve”, Martin Miserdoski.

Në minutën e 72-të, Mexhit Neziri nga e djathta harkoi në zonën kundërshtare, aty ku Bassirou Compaore tentoi të shënojë me kokë, mirëpo pa sukses, pasi goditja e tij përfundoi vetëm mbi portë.

Rastin më të mirë të këtij takimit, që nga stadiumi “Boris trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit të rikthehemi me 3 pikë të plota e pati, Marjan Radeski në minutën e 82-të.

Pasi pranoi një top në thellësi brenda zonës kundërshtare nga ana e Ibraimit, golashënuesi ynë më i mirë i stinorit vjeshtorë, Radeski arriti që të godas, duke e mposhtur edhe portierin Aleksovski, mirëpo nga vija fatale e golit, mbrojtësi nigerian, Rashid Sadik i mohoi golin e 9-të sezonal sulmuesit tonë.

Në fund barazim pa gola, që njëherit ishte edhe i pari këtë edicion, ku deri më tani kemi regjistruar edhe 13 fitore dhe 5 disfata.

Fundjavën e ardhshme në terren vendas, në derbi xhiron e javës së 20-të do të mirëpresim ekipin e FC Shkupit.

_______________________________________________________________________________________________________________

RABOTNIÇKI – STRUGA TRIM LUM 0:0

Stadiumi: “Boris Trajkovski” – Maxhari (Shkup)

Arbitër Kryesor: Dimitar Pileshkov

Kartonë të verdhë: S. Despotovski (Rabotniçki) – S. Radiç, M, Neziri (Struga Trim Lum)

_______________________________________________________________________________________________________________

Formacionet:
RABOTNIÇKI:

I. Aleksovski, D. Alomerovic, S. Despotovski, M. Miserdovski, R. Sadik, D. Todorovski (G. Stojanovski), S. Bilali (M. Angelov), P. Petkovski (A. Mazari), S.Kagimu, A.Gando (D. Danev), V. Stojanovski (N. Manojlov)

Trajner: Goce Sedlloski

STRUGA TRIM LUM:

V. Qoshevski, E. Maliqi (B. Compaore), M. Neziri, S. Radiç, B. Krivanjeva, V. Zguro (H. Tairi), H. Georgievski (B. Kamberi), B. Bojku, B. Shabani, M. Radeski, B. Ibraimi

Trajner: Shpëtim Duro

________________________________________________________________________________________________________________