3 gola për 3 pikë të reja nga transferta në Shtip

30.04.2023 | Java 30
BREGALLNICA – STRUGA TRIM LUM 0:3 (0:2)
H. Maleski 9’
B. Ibraimi 41’
M. Radeski 47’

Rezultoi të jetë një transfertë shumë më e lehtë, se sa pritej kjo e Shtipit përballë Bregallnicës, ndaj së cilës skuadër në fund regjistruam fitore 3:0. Përkundër presionit të pikëve, pas asaj fitore të Shkëndijës gjatë ditës së shtunë, futbollistët tanë zhvilluan një ndër ndeshjet më të mira kundër Bregallnicës në Shtip, ndaj së cilës skuadër regjistrojmë në këtë mënyrë fitoren e katërt, përfshirë këtu edhe atë të Kupës së këtij edicioni, kur në kuadër të ndeshjes çerekfinale, kishim regjistruar fitore 2:0.

Ndryshe fitoren e sotme e paralajmëroi Hristijan Maleski, që kishte marrë besimin e trajnerit Shpëtim Duro për ta nisur ndeshjen si titullarë. Ishte kjo ndeshja e tij e 22-të që e zhvillon këtë edicion me fanellën e Struga Trim Lum dhe e 17-ta si titullarë, ndërsa goli i tij i 7-të, që e rendit atë në mesin e tre golashënuesve më të mirë të skuadrës tonë.

Kur jemi tek golashënuesit, aty prinë Besart Ibraimi, i cili në minutën e 41-të me një goditje të fuqishme nga rreth 25 metrash shënoi edhe golin e dytë për skuadrën tonë dhe të 17-tin në kampionat, me ç’rast prinë bindshëm listën e golashënuesve.

Me këto dy gola u mbyll pjesa e parë, në të cilën veçojmë edhe super mundësinë e Zija Merxhanit në minutën e 32-të dhe tentativën e Ibraimit në minutën e 44-të, kur goditi jashtë kuadrantit.

Pjesën e dytë e nisëm edhe më mirë, pasi vetëm pas dy minutave lojë në këtë pjesë, rezervisti Radeski shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase dhe nga brendia e zonës me një goditje tokazi shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Denkovskit.

Ishte ky goli i parë për Radeskin me fanellën e Struga Trim Lum, skuadër kjo që deri në fund të takimit e administroi mjaft mirë ndeshjen, ndërsa nuk do ishte mëkat nëse nga Shtipi riktheheshim edhe me ndonjë gol të shënuar, pas gjithë atyre rasteve të krijuara minutë pas minute.

Goli i tretë bëri që edhe trajneri Duro në ato momente të besoj tek fitorja, duke i lejuar vetes që në minutën e 61-të, të kryej tre zëvendësime të njëpasnjëshme, duke larguar nga loja edhe sulmuesin kryesor, Besart Ibraimi, vendin e të cilit e zuri Fatjon Jusufi, ndërsa gjithashtu në lojë u inkuadruan edhe Pere në vend të Koçoskit dhe Hogan Ukpa në vend të Zija Merxhanit.

Në mungesë të Ibraimit, fjalën kryesore ne sulm e morri Marjan Radeski, që kishte dy tentative për të mposhtur Denkovskin, ndërsa rastin më të mirë për të shënuar në këtë pjesë e kishte Besmir Bojku në minutën e 87-të, mirëpo Denkovski mjaft mirë e kishte mbyllur këndin nga i cili mund të shënonte lojtari ynë, ashtu që në fund ndeshja u mbyll me shifrat 3:0 në favorin tonë.

Kur kanë mbetur vetëm edhe 3 xhiro, vazhdojmë të kryesojmë renditjen me 59 pikë, 5 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë.

Formacioni i skuadrës
XI STARTUESE: Kjoshevski; Neziri, Radiç, Krivanjeva; Maliqi, Bojku, Koçoski, Shabani, Merxhani; Maleski, Ibraimi
Banka rezervë: Kitanovski, Jahja, Tairi, Radeski, Jusufi, Kasami, Pengu, Muharemi, Hogan, Pere, Kaba
BREGALLNICA – STRUGA TRIM LUM
Kronologjia e ndeshjes minutë pas minute:
Minuta 1,
Arbitri Aleksandar Grujoski jep shenjë për fillimin e takimit
Minuta 9,
Edis Maliqi harkon në zonën kundërshtare në shtyllën e parë, aty ku më së miri u gjind Hristijan Maleski dhe me një eurogol të vërtetë shënoi për 1:0
Minuta 32,
Super aksion i skuadrës tonë, me Merxhanin që doli i vetmuar para portës kundërshtare, mirëpo goditjen e tij me një intervenim bravuroz e ndali portieri Denkovski
Minuta 41,
Besart Ibraimi në mënyrë perfekte ekzekutoi goditjen e lirë nga një distancë prej 25 metrash, duke dyfishuar rezultatin pak para fundit të pjesës së parë
Minuta 44,
Besart Ibraimi u shfaq sërish i rrezikshëm para portës kundërshtare, mirëpo goditja e tij me të majtën e tij përfundoi vetëm jashtë kuadrantit
______________________________________________________________
Pjesa e dytë
Minuta 45, starton pjesa e dytë
Minuta 47,
Pjesën e dytë e nisim me një gol të hershëm të shënuar nga rezervisti Marjan Radeski, për të cilin ishte ky goli debutues me fanellën e skuadrës tonë.
Minuta 48,
Besart Ibraimi kanoset nga brendia e zonës, mirëpo goditjen e tij kapiteni kundërshtarë Mojsov e devijon në rivënie nga këndi
Minuta 61,
Tre zëvendësime, trajneri Duro vendosi të pushojë edhe goleadorin Ibraimi, vendin e të cilit e zuri Fatjon Jusufi, ndërsa gjithashtu në lojë u inkuadruan edhe Pere në vend të Koçoskit dhe Hogan Ukpa në vend të Zija Merxhanit
Minuta 65,
Portieri kundërshtarë lëshoi portën për të intervenuar me kokë, mirëpo daljen e tij nuk arriti që ta ndëshkojë Radeski, i cili goditi vetëm lartë mbi portë
Minuta 66,
Radeski kanoset edhe njëherë tjetër, pas një tollovie të shfaqur në zonën kundërshtare, mirëpo edhe këtë herë goditja e tij jo precize
Minuta 87,
Një aksion i shpejtë i skuadrës tonë, me Jusufin i cili pason brenda zonës për Bojkun, mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri Denkovski.
Minuta 91,
Bojku u kanos sërish në minutën e parë shtesë të takimit, mirëpo këtë herë nuk arriti që të gjejë kuadrantin e portës kundërshtare
Minuta 92,
Kanosjen e parë në këtë ndeshje e kishte edhe 21-vjeçari  Pengu, mirëpo pa sukses
Arbitri jep shenjë për fundin e takimit menjëherë pas tentativës së Pengut….