Disfatë 2:1 në transfertën në Shkup ndaj Shkëndijës së Tetovës, ndeshje kjo e vlefshme për javën e katërt në elitën e futbollit vendor…
Një gol i shënuar nga Besart Ibraimi vetëm në minutën e 87-të nga pika e bardhë, na mohoi të paktën një pikë nga transferta në Shkup përballë Shkëndijës së Tetovës, skuadër kjo që në fund shënoi fitore 2:1.
Trajneri Bledi Shkëmbi vendosi që të bëj disa ndryshime për dallim nga ndeshja e fundit kundër Vardarit, teksa minutat e para i zhvilluan edhe dy përforcimet e fundit, Daniel Kehinde Akinlosotu, që e nisi ndeshjen si titullarë, për tu zëvendësuar në fillimin e pjesës së dytë, dhe Edison Kola, që në lojë u inkuadrua në 10 minutat e fundit të ndeshjes.
Për herë të parë këtë edicion, titullarë ishte edhe Ardian Zendeli, ndërsa në qendër të mbrojtjes ishte rikthyer Landrit Rama, që partner kishte Egzon Belicën, që për herë të dytë doli të jetë startues.
Pas matjes së forcave në fillimin e takimit, Shkëndija filloi të vendos tempo, duke na rrezikuar në disa raste, teksa në minutën e 29-të, Ndzengue me kokë shënoi për 1:0. Pavarësisht disa tentativave të skuadrës tonë për të barazuar shifrat, një gjë të tillë nuk arritëm, ashtu që në pushim shkuam me disavantazhin e një goli.
Arbi Vosha dhe Marjan Radeski ishin futbollistët e rinj të inkuadruar në lojë në fillimin e pjesës së dytë, duke lënë në bankinë dyshen internacionale, Agamah – Kehinde. Me inkuadrimin e tyre loja ofenzive morri formën e duhur, dhe skuadra u bë më agresive.
I pari që u kanos në këtë pjesë, ishte Besmir Bojku (48’), mirëpo goditja e tij përfundoi vetëm skaj shtyllës. Në minutën e 55-të, regjistrojmë rastin më të mirë, kur Radeski nga afërsia goditi traverzën, duke humbur kështu mundësinë e barazimit, mirëpo që erdhi shumë shpejtë, pasi arbitri kryesor Stojan Trpçevski me asistim të VAR, aty ku ndodhej Benjamin Kerimi, tregoi në pikën e bardhë, pasi paraprakisht ndaj Bunjamin Shabanit kishte ndërhyrje të palejuar brenda zonës kundërshtare.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri Hristijan Maleski, që shënoi për 1:1. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 58-të, ndërsa ky gol i dha krahë skuadrës që vazhdoi të sulmonte, derisa në minutat 74 dhe 75 rrezikuam përmes dyshes sulmuese Marjan Radeski dhe Hristijan Maleski.
Ky i fundit ishte i pafat, pasi goditjen e tij me këmbën e majtë njëri nga mbrojtësit e Shkëndijës e devijoi në rivënie nga këndi.
Në minutën e 81-të, Arbi Vosha provoi me një goditje nga distanca, por topi kaloi
skaj shtyllës pingule të portierit Ferati.
Në minutën e 87-të Shkëndija përmes Fahd Ndzengue përfitoi një penalti, të cilën në gol e shndërroi, Besart Ibraimi, që në ato momente shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Andrej Jovçevskit.
Skuadra edhe pas këtij goli të pranuar, nuk u dorëzua, duke kërkuar edhe njëherë tjetër barazimin. Super Bojku bën një lëvizje të përkyer në zonën kundërshtare, duke nxjerrë nga loja Zejnullain, mirëpo e majta e tij u ndal nga portieri, Ramani, që më pas në vazhdim të aksionit, Maleski të godas mbi portë.
Ishte kjo njëherit edhe mundësia e fundit, përmes së cilës kërkuam ti shpëtojmë disfatës së parë të këtij edicioni, mirëpo që fati nuk ishte në anën tonë, ashtu që në xhiron e katërt për herë të parë Struga Trim Lum mbetet pa asnjë pikë të fituar.
Ndeshjen e rradhës, e zhvillojmë në shtëpi përballë Bregallnicës së Shtipit.
LPFMV, Java 4 | Shkëndija – Struga Trim Lum 2:1
Autorë i golit: H. Maleski 58’ (pen.)
Stadiumi: “Petar Milloshevski” – FFM
Shikues: 500
Arbitër kryesor: Stojan Trpçevski
Kartonë të verdhë: Daniel Akinlosotu, Arbi Vosha
FORMACIONI:
A.Jovçevski, E. Belica (M. Hamza 65’), L. Rama, P. Fall, L. Diako, A. Zendeli (A. Nuhija 83’), B. Bojku, B. Shabani (E. Kola 79’), D. Akinlosotu (A. Vosha 46’), H. Maleski, H. Agamah (M. Radeski 46’);
Trajner: Bledi SHKËMBI;


















