Struga Trim Lum me sulmin më efikas dhe golashënuesit më të mirë të kampionatit!

60 gola në 26 ndeshje, bëjnë që Struga Trim Lum të jetë skuadra më efikase e momentit. Si skuadër neve mund të mburremi gjithashtu edhe me dyshen më të mirë të sulmuesve në kampionat, Compaore dhe Maleski…

Struga Trim Lum pas 26 xhirove të kaluara, rezulton të jetë skuadra më efikase e momentit në Ligën e Parë. Plotë 60 gola të shënuar nga ana e futbollistëve tanë, me dyshen Compaore – Maleski, që kanë shënuar thuajse gjysmën e golave.

Kjo dyshe njëherit udhëheqin edhe listën e golashënuesve në elitën e futbollit vendor.

Compaore ka 15 gola të shënuar, derisa Maleski 14, kjo falë “dopietës” në ndeshjen e fundit kundër FC Shkupit.

Që të dy po zhvillojnë sezonin e tyre më të mirë, që kur janë pjesë e Struga Trim Lum.

Sulmuesi nga Burkina Faso në edicionin e tij të parë me fanellën e Struga Trim Lum (23/24), në 27 ndeshje kishte realizuar 5 gola dhe 4 asistime, që më pas në sezonin e ardhshëm, 24/25 i njëjti  të regjistrojë 4 gola dhe 5 asistime.

Sezonin aktual, kur kanë mbetur edhe 7 xhiro deri në fund, Compaore në 23 ndeshje të zhvilluara numëron 15 gola dhe 4 asistime.

Sezoni aktual në Ligën e Parë po rezulton më efikasi edhe për Maleskin, që po zhvillon edicionin e tij të 5-të me Struga Trim Lum.

Deri më tani sezoni i tij më efikas rezultonte, ai 22/23, kur në 23 ndeshje kishte realizuar 7 gola, ndërsa sezonin e kaluar i njëjti në 19 ndeshje kishte arritur shifrën e 6 golave të shënuar.

Këtë edicion, Maleski në 25 ndeshje ka regjistruar 14 gola dhe 4 asistime, që është një rekord në vete, kur janë në pyetje edhe asistet për gol.

Kjo dyshe ka gjasa që deri në fund të sezonit të shtoj këtë numër të golave dhe asisteve, ndërsa mbetet të shihet se cili prej tyre në fund do t’ia arrijë qëllimit që të shpallet golashënuesi më i mirë i sezonit.