LPFMV, Java 20 | AP BRERA – STRUGA TRIM LUM 0:0

Struga Trim Lum ka regjistruar edhe barazimin e tretë me rradhë në kampionat. Këtë herë skuadra jonë barazoi pa gola në transfertën ndaj AP Brera…

Barazim pa gola në transfertën ndaj AP Brera për Struga Trim Lum. Ishte ky barazimi i tretë i njëpasnjëshëm për skuadrën tonë në pjesën pranverore, ku ende nuk e kemi shijuar aromën e fitores.

Përkundër dominimit të plotë në posedimin e topit, skuadra nuk reflektoi para portës kundërshtare. Edhe sot mungoi ajo goditja finale para portës kundërshtare, pavarësisht se krijuam shumë raste për gol, sidomos gjatë pjesës së parë.

Compaore ishte i pari që u kanos vetëm pas dy minutave lojë, ndërsa në minutën e 11-të goditja e Hristijan Maleskit nga një distancë prej 18 metrash përfundoi vetëm në rivënie fundore.

Vendasit vunë në prova portierin tonë për herë të parë në këtë ndeshje në minutën e 22-të, kur Antovski tentoi direkt nga gjuajtja e lirë.

Kundërpërgjigjja erdhi 5 minuta më vonë, kur dyshja Maleski-Shabani shumë mirë kombinuan brenda zonës kundërshtare, mirëpo portieri vendas mjaft mirë i kishte mbuluar hapësirat kapitenit tonë, duke mos e lejuar për të shënuar.

Në minutën e 32-të, Stefan Jevtoski nga jashtë zonës lëshoi një bombë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, aty ku portieri Dikovski me gishtërinjtë e tij devijoi topin në rivënie këndore.

Vetëm 3 minuta më vonë një aksion i shpejtë i tanëve që premtonte shumë, mirëpo që përfundoi vetëm me dy tentativa të bllokuara të Voshës fillimisht, e më pas edhe të Pape Fall.

Ekipi vazhdoi të qëndronte në gjysmëfushën kundërshtare edhe në minutat e fundit të pjesës së parë, duke kërkuar golin e avantazhit, mirëpo nuk erdhi, pasi mbrojtja  e vendasve nuk lejoi që lojtarët tanë të vijnë në shprehje.

Pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtën fotografi, me Struga Trim Lum që zotëronte topin dhe kishte kontroll të lojës, mirëpo këtë herë munguan rastet konkrete para portës se vendasve.

Në anën tjetër falë dy intervenimeve të shkëlqyeshme brenda një aksioni të njëjtë, portieri Vasilev në minutën e 51-të nuk lejoi gëzimin e skuadrës vendase, që mjaft mirë e kishte analizuar lojën e skuadrës tonë dhe në fund morri atë që e kishte planifikuar ndoshta që para këtij takimi, një barazim, pa pranuar gol.

NDESHJA E RRADHËS

Ndeshjen e rradhës do ta zhvillojmë vetëm pas 4 ditësh. Kundërshtarë në kuadër të xhiros së 21-të do të kemi ekipin e fundit në renditje, FC Shkupi.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në Strugë.

AP BRERA – STRUGA TRIM LUM 0:0

Stadiumi i qytetit: “Bllagoja Istatov” – Strumicë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Vllatko Ilijoski

Kartonë të verdhë: Arbi Vosha, Stefan Jevtoski, Lasana Diako, Gledi Mici

FORMACIONI

V. Vasilev, B. Ilievski, L. Diako, G. Mici (M. Radeski 64’), P. Fall, S. Jevtoski, B. Bojku (M. Hamza 64’), B. Shabani, A. Vosha, H. Maleski, B. Compaore;

Trajner: Bledi Shkëmbi;