Jusuf Kaba, Hadis Tairi, Vebi Islami dhe Kire Ristevski, janë futbollistët që do të huazohen edhe në pranverë në skuadra të ndryshme të vendit…
Struga Trim Lum ka vazhduar me huazimin e futbollistëve të saj nëpër skuadra tjera vendore. Kështu, pas huazimit të Kire Ristevskit, Jusuf Kabës dhe Vebi Islamit që nga starti i këtij sezonit, listës së huazimeve i është shtuar edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Hadis Tairi.

Ky i fundit 6 muajt e ardhshëm do të luaj me fanellën e Shkëndijës së Haraçinës, aty ku do të bashkohet me Jusuf Kaban.
Vebi Islami do të vazhdojë të luaj me Kozhuvin, me të cilën skuadër shkëlqeu gjatë stinorit vjeshtorë në Ligën e Dytë, ndërsa mbrojtësi Kire Ristevski është huazuar te Pelisteri.
Kujtojmë, gjatë stinorit vjeshtorë, Ristevski në formë huazimi luajti me fanellën e Makedonija GJ.P., ndërsa deri në fund të sezonit i njëjti do të luaj me ekipin nga vendlindja e tij. Këto 6 muaj, do të jenë njëherit edhe të fundit për Ristevskin, pasi i përfundon kontrata me Struga Trim Lum, ndërsa treshja tjetër, Islami, Kaba dhe Tairi, pritet të rikthehen më të pjekur në skuadër për sezonin e ardhshëm.


















