Pushimi përfundoi. Ekipi të hënën do të grumbullohet për herë të parë në vitin 2026, për tu përgatitur sa më mirë për stinorin pranveror në elitën e futbollit vendor, aty ku futemi si nënkampion…
Struga Trim Lum të hënën (05 janar), do të ketë grumbullimin e parë në vitin 2026. Në të njëjtin pritet të paraqiten që të gjithë futbollistët, të cilët tashmë në mënyra të ndryshme kanë shfrytëzuar pushimet e tyre.
Ekipi do të grumbullohet në orën 13:00 në stadiumin e qytetit, aty ku nga trajneri Bledi Shkëmbi pritet që të njoftohen me rrjedhojën e stërvitjeve në prag të ndeshjeve të stinorit pranveror.
Fazën e parë të përgatitjeve, Struga Trim Lum do ta zhvillojë në Strugë aty ku do të qëndrojmë deri me datë 17 janar. Brenda kësaj periudhe skuadra ka paraparë të zhvillojë edhe dy ndeshje kontrolluese, ndërsa mëngjesin e 17 janarit ekipi do të fluturojë drejt Antalisë në Turqi, aty ku do të zhvillojmë edhe fazën kryesore të përgatitjeve.
Sigurisht, që edhe në Turqi ekipi ka planifikuar disa ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të huaj, që gjithashtu do të zhvillojnë përgatitjet në atë periudhë në tokën turke, ku ekipi ynë do të qëndrojë deri me datë 31 janar.

RIKTHEHET EDHE ARD KASAMI
Në grumbullimin e parë të skuadrës, prezent do të jetë edhe Ard Kasami, i cili ditë më parë u rikthye nga Kroacia, aty ku kishte kryer fazën e fundit rikuperuese, pas atij dëmtimi të rëndë fillimin e muajit shtator të vitit që lamë pas.
Kasami ishte dëmtuar gjatë një seance stërvitore, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore dhe kontrollimeve të kryera nga mjekë kompetent, ishte konstatuar se i njëjti kishte këputur ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL), ashtu që ndërhyrja kirurgjike ishte e pashmangshme.
Tashmë kur ka kaluar pjesën më të rëndë, i njëjti pritet të fillojë me stërvitje individuale, por që gjithnjë do të jenë nën mbykqyrjen e stafit teknik të trajnerit Bledi Shkëmbi, por edhe stafit mjekësor, që do të vazhdojë të përcjellë rikuperimin e tij të mëtejshëm.


















