Fitorja e tretë me rradhë dhe e 10-ta këtë edicion në Ligën e Parë për Struga Trim Lum me Bledi Shkëmbin në krye, që këtë herë foli edhe për ambiciet e klubit…
Fitorja e fundit ndaj KF Arsimit ka lënë të kënaqur vetë trajnerin Bledi Shkëmbi, i cili thotë se pauza vjen në momentin e duhur. Bazuar në rezultatet e deritanishme, ai thotë se minimumi, Struga Trim Lum duhet të arrijë Europën.
“Patjetër që fitorja ndaj KF Arsimit na bën mirë para pauzës, gjithashtu edhe pauza vjen në një moment ku lojtarët ishin të ngarkuar nga ndeshjet e afërta që patëm në këtë periudhë. Patjetër që me rezultatet e deritanishme ne duhet të besojmë shumë që në fund të kampionatit, minimumi, duhet të jemi në Europë.” – u shpreh fillimisht Bledi Shkëmbi, nën drejtimin e të cilit skuadra përveç që po fiton, po argëton edhe tifozët me golat e shënuar.
“Filozofia ime, por edhe e skuadrës është që ne duhet të luajmë për fitore në çdo ndeshje dhe veç 3 pikëve duhet të argëtohen edhe tifozët me mënyrën se si luajmë.” – vijoi Shkëmbi, që beson edhe tek mrrekullitë këtë edicion.
“Do të ishte mrrekulli që unë personalisht të mund të dilja kampion me Struga Trim Lum që në vitin e parë.”


















