Prag ndeshja me Vardarin | Flet sulmuesi Hristijan Maleski

Struga Trim Lum të dielën zhvillon ndeshjen e javës së 9-të kundër Vardarit. Është pa dyshim kjo ndeshja derbi e kësaj jave, në të cilën skuadra do të kërkoj të bëjë të njëjtën gjë sikurse në ndeshjet e deritanishme…

Hristijan Maleski sezonin e ri e ka nisur me shumë stil, teksa i njëjti në 8 ndeshjet e deritanishme ka regjistruar 4 gola dhe 1 asistim, edhe atë duke qenë titullarë në vetëm 1 ndeshje.

Maleski ishte më i merituari për fitoren e fundit kundër Pelisterit në Strugë, kur realizoi që të dy golat e fitores, pavarësisht faktit se në fushën e blertë kaloi vetëm 20 minuta.

Ai e sheh veten të gatshëm edhe për derbin me Vardarin, duke u zotuar se do të jap ma të mirën nga vetja, pavarësisht se sa minuta do të jetë prezent në fushën e blertë.

“Kemi bërë stërvitje të shkëlqyeshme gjatë kësaj jave, ashtu që mendoj se skuadra është 100% e gatshme për të dhënë më të mirën edhe në këtë ndeshje derbi. Në rast se i realizojmë të gjitha kërkesat e trajnerit, atëherë mund të shpresojmë tek 3 pikët e plota.” – tha Hristijan Maleski, i cili foli për atmosferën që po mbizotëron në skuadër pas serisë së rezultateve pozitive.

“Puna e palodhshme dhe atmosfera e mirë në skuadër ka bërë që të jemi aty ku edhe ndodhemi për momentin. Më gëzon fakti se edhe unë në aspekt individual kam ndikuar në këto rezultate, duke ndihmuar skuadrën” – vijoi Maleski, i cili thotë se është i gatshëm edhe njëherë tjetër të jap maksimumin për gjithë ato minuta që do i’a besonte trajneri. “Jam i kënaqur me performancën time personale, mirëpo çdoherë mundet edhe më mirë. Nuk fsheh se dua të shënoj gola sa më shumë, mirëpo nuk mund të premtoj se do të shënoj edhe nesër. Për ndeshjen ndaj Vardarit mund të premtoj se do të jap maksimumin për çdo minutë që do të më jepet nga ana e trajnerit” – përfundoi Hristijan Maleski, i cili nesër do të kërkoj golin e tij të parë në ndeshjet ndaj Vardarit.