Ndeshja e tretë, fitorja e tretë në sezonin e ri. Një start i mirë, që u kurorëzua sot me fitoren ndaj Rabotniçkit në shtëpi…
Struga Trim Lum – Rabotniçki, 2:0. Është ky epilogu i rezultatit përfundimtarë të ndeshjes së javës së tretë në elitën e futbollit vendor, aty ku regjistrojmë po aq fitore, duke kryesuar të vetëm për momentin renditjen tabelare me 9 pikë maksimale.
Që të dy golat erdhën në fundin e dy pjesëve. Ishte Compaore që shënoi golin e parë nga penaltia në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, ndërkohë në minutën e katërt shtesë (94’), rezervisti Maleski vendosi fatin e këtij takimi, në të cilin skuadra jonë edhe njëherë tjetër shfaqi një lojë dominuese, duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit.
Kundër një Rabotniçki të pozicionuar mirë, skuadra e Bledi Shkëmbit luajti me pragmatizëm dhe një sulm mjaft të shkëlqyer, duke krijuar raste të shumta para portës kundërshtare.

Marjan Radeski në minutën e 20-të goditi me kokë, mirëpo drejt në duart e portierit Vasilev. Në minutën e 34-të Ilievski nga krahu i djathtë mjaft mirë gjeti brenda zonës kundërshtare Compaoren, mirëpo ky i fundit reagoi shumë dobët, duke goditur vetëm jashtë kuadrantit nga një pozitë mjaft e volitshme.
5 minutat e fundit të pjesës së parë ishin shumë të zjarrta, dhe që në fund rezultuan edhe me gol në rrjetën kundërshtare. Ishte Radeski fillimisht ai i cili tentoi edhe njëherë tjetër për të shënuar me kokë, mirëpo sërish topi përfundoi në duart e portierit Vasilev, që më pas në aksionin e rradhës, i njëjti të mos e lexoj dot harkimin e Besmir Bojkut, pa vënë në rrezik portën e mysafirëve.
Aksioni i fundit në zonën kundërshtare, kur në lojë ishin më shumë futbollistë, rezultoi me një ndërhyrje ndaj Bassirou Compaore, i cili më pas morri edhe përgjegjësinë e ekzekutimit, duke realizuar golin e epërsisë vetëm në minutën e parë shtesë të 45 minutëshit të parë.
Pjesa e dytë nisi me tre ndryshime në formacionin e mysafirëve dhe tentativën e Compaore, i cili ndodhej në një pozitë mjaft të volitshme për të shënuar, mirëpo i njëjti ishte në pozicion jashtë loje.
Memetriza Hamza në minutën e 56-të me të majtën e tij lëshoi një goditje të fortë në drejtim të portës kundërshtare direkt nga gjuajtja e lirë, mirëpo në vendin e duhur ishte edhe njëherë tjetër portieri kundërshtarë, Vasilev.
E majta e Hamzës u tregua e rrezikshme për mysafirët edhe në aksionin e rradhës, që solli një tollovi në zonën e rreptësisë, mirëpo pa finalizimin e duhur.
Në minutën e 65-të edhe pse doli të jetë shumë jopreciz, Compaore megjithatë morri duartrokitjet e publikut, pas tentativës së tij për të shënuar një gol atraktiv me roveshatë.
Në minutën e 67-të, një gabim i portierit Angelletti bëri që mysafirët të shënojnë në rrjetën tonë, mirëpo ky gol u anulua pasi futbollisti kundërshtarë kishte prekur topin me dorë.
Nuk vonoi shumë dhe dy minuta më vonë në anën tjetër Radeski u shfaq i rrezikshëm para portës kundërshtare, mirëpo në të dyja rastet nuk arriti të gjejë hapësirë për të goditur në drejtim të portës kundërshtare.
Në minutën e 72-të edhe njëherë tjetër i gjithë publiku ishte në këmbë pas goditjes së Bojan Ilievskit, që përfundoi për disa centimetra skaj portës.
Compaore edhe pse arriti që të përfitojë hapësirën e duhur në minutën e 76-të, goditja e tij doli të jetë shumë jo precize. Në aksionin e rradhës, Shabani dhe Vosha kombinuan mjaft mirë mes vete, me këtë të fundit që u gjind në një pozitë mjaft të mirë për të shënuar, por goditja e tij e plogzhtë për tokë, nuk solli fare probleme për Vasilev.
Ky i fundit reagoi mjaft mirë në minutën e 91-të, duke ndalur tentativën e rezervistit Djordje Ivkoviç, që shumë lehtë mund të ndodhte të shënoj gol në ndeshjen e tij debutuese me fanellën e skuadrës tonë.

Mirëpo atë që nuk e bëri Ivkoviç, e bëri Hristijan Maleski në minutën e 94-të, kur mjaft mirë u shërbye nga kapiteni Shabani dhe nga afërsia shënoi për 2:0, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi.
Ishte kjo fitorja e tretë për skuadrën tonë nga po aq ndeshje këtë edicion, duke bërë që edhe njëherë tjetër tifozët tanë të largohen me buzëqeshje nga stadiumi.
Kujtojmë, me po të njëjtin rezultat mundëm edhe Makedonija GJ.P në xhiron e parë, derisa në transfertë në kuadër të xhiros së dytë shënuam fitore 2:1 ndaj KF Arsimit.
DEBUTIM I SULMUESIT, DJORDJE IVKOVIÇ
Debutimin e tij këtë edicion me fanellën e Struga Trim Lum e regjistroi sulmuesi Djordje Ivkoviç. Sulmuesi i ardhur nga rradhët e skuadrës kazake të Aktobe, në lojë u inkuadrua në minutën e 87-të në vend të autorit të golit të parë, Bassiroou Compaore.
Këtë debutim Ivkoviç mund ta kurorëzonte me gol vetëm pas 4 minutave të kaluara në fushën e blertë, mirëpo gëzimin e tij e ndaloi portieri i Rabotniçkit, Vasilev, që intervenoi mjaft mirë para sulmuesit shtatëlartë.
NDESHJA E RRADHËS
Ndeshjen e rradhës kampionale do ta zhvillojmë në transfertën ndaj Bashkimit në Kumanovë me datë 30 shtator (e shtunë).

LPFMV | Java III
STRUGA TRIM LUM – RABOTNIÇKI 2:0
Autorë të golave: B. Compaore 45+1’, H. Maleski 90+4’
Stadiumi i qytetit: Strugë
Shikues: 1000
Arbitër kryesor: Kiril Smokovski
Kartonë të verdhë: P. Fall, K. Mazoulouxis, A. Vosha, L. Diako
FORMACIONI:
M. Angeletti, B. Ilievski, K. Mazoulouxis, J. Maudo, P. Fall, L. Diako, B. Bojku (A. Vosha 75’), M. Hamza, B. Shabani, B. Compaore (D. Ivkoviç 87’), M. Radeski (H. Maleski 75’);
Trajner: Bledi SHKËMBI


















