Sot zhvillojmë ndeshjen e fundit në Antalia të Turqisë

Të premtën (sot) do të zhvillojmë edhe ndeshjen e fundit në kuadër të përgatitjeve në Antalia të Turqisë. Kundërshtarë i rradhës do të jetë ekipi sllovak i MFK Zemplín Michalovce…

www.fcstruga.com__________________________________________________________________________________________

Për ekipin e Qatip Osmanit do të jetë kjo ndeshja e fundit në Antalia të Turqisë. Në katër ndeshjet e deritanishme, Struga Trim Lum ka regjistruar një fitore, dy barazime dhe një disfatë. Fitoren e vetme e regjistruam ndaj polakëve të Koronia Kielce, barazuam ndaj hungarezëve të Debrecen dhe skuadrës së FC Kyzylzhar nga Kazakistani, derisa disfatën e vetme e pësuam nga skuadra e njohur ruse e Rubin Kazan.

Bazuar në rezultatet dhe gol-averazhin e arritur, një bilanc i balancuar, madje kur janë në pyetje edhe golat e shënuar.

“Të gjithë kundërshtarët ishin shumë të fortë, ndaj besoj se i’a kemi dalë mirë. E vetmja gjë që na shqetëson, është mungesa e golit. Mendoj se duhet të punojmë shumë në këtë aspekt deri para fillimit të stinorit pranveror” – thotë mbrojtësi Besart Krivanjeva, i cili foli edhe për përforcimin e fundit, mbrojtësin nga Gambia Maudo Jarjué.

“Konkurrenca gjithnjë bënë mirë, ndaj dhe këtë herë besoj se do ti shërbejë skuadrës edhe më shumë. Është një lojtar i ri, që ekipit iu bashkua vetëm dje, mirëpo bazuar në CV-në e tij, bëhej fjalë për një futbollistë me mjaft eksperiencë dhe që mund ta ndihmojë skuadrën në pjesën e dytë të sezonit. Si skuadër neve i urojmë mirëseardhje, duke besuar që së bashku do i’a arrijmë qëllimit në fund” – shprehet Krivanjeva, në prag të ndeshjes kundër MFK Zemplín Michalovce.

KUNDËRSHTARI

MFK Zemplín Michalovce, është një ndër skuadrat më të vjetra nga Sllovakia. Kjo skuadër është themeluar në vitin 1912 nën emrin Michalovský FS, ndërsa nga viti 1991, e deri më sot, ata garojnë nën emrin ekzitues, MFK Zemplín Michalovce.

MFK Zemplín Michalovce është një klub sllovak nga qyteti i Michalovce që luan në kompeticionin më të lartë të futbollit sllovak që nga sezoni 2015/16.

Ata pjesën e parë të sezonit e mbyllën në pozitën e 6-të, që siguron një vend për në ndeshjet e “play-off”.

Ndryshe në Antalia të Turqisë, MFK Zemplín Michalovce, ka zhvilluar vetëm dy ndeshje, edhe atë kundër Kaisar nga Kazakistani (1:0) dhe Visla Plock (0:1) nga Polonia.

NDESHJA

Ndeshja Struga Trim Lum – MFK Zemplín Michalovce, zhvillohet sot me fillim në ora 11:30 sipas kohës sonë lokale, apo 13:30 me kohën këtu në Turqi.