Ndërprejmë bashkëpunimin me trajnerin Shpëtim Duro

FC Struga Trim Lum njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me shefin e stafit teknik, Shpëtim Duro. Bashkëpunimi me trajnerin Duro ndërpritet me marrëveshje të dyanshme….

Pas një serie të rezultateve të dobëta, kur pikët ishin më se të domosdoshme në garën për titullin e kampionit, Bordi drejtues i FC Struga Trim Lum dhe trajneri Shpëtim Duro, me marrëveshje të dyanshme vendosën të ndajnë rrugët.

Me këtë rast, FC Struga Trim Lum falënderon Duron për kontributin e dhënë gjatë periudhës përderisa e drejtoi skuadrën tonë në kampionatin vendor dhe garat europiane, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen.

Shpëtim Duro në pozitën e trajnerit te Struga Trim Lum erdhi me 1 mars të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Srgjan Zaharievskin.

Ai skuadrën tonë brenda këtyre 14 muajve e drejtoi në plotë 52 ndeshje zyrtare mes kampionatit, Kupës së Maqedonisë dhe garave europiane, ku arritëm deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.

31 fitore, 7 barazime dhe 14 disfata, përfshirë këtu edhe dy disfatat e pësuara përmes ruletit të penaltive në finalen e edicionit të kaluar dhe ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës të këtij edicioni, janë statistikat e Duros, i cili gjatë këtij edicioni që e udhëhoqi skuadrën tonë që nga fillimi, në 30 ndeshje kampionale regjistroi 18 fitore, 4 barazime dhe 8 disfata.

Brenda pak ditëve drejtuesit e skuadrës do të vendosin për pasuesin e Shpëtim Duros.