Në Antalya të Turqisë gjatë ditës së sotme zhvilluam edhe takimin e dytë kontrollues në kuadër të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit 2024/25. Përballë kishim polakët e Korona Kielce, ndaj të cilëve regjistruam fitore, teksa nesër na pret përballja kundër gjigandëve rus të Rubin Kazan…
www.fcstruga.com____________________________________________________________________________________________
Ndeshja e dytë, fitorja e parë në Antalya të Turqisë, aty ku skuadra po mbush bateritë në prag të stinorit pranveror. Pas barazimit 0:0 ndaj Debrecen, skuadra e Struga Trim Lum në ndeshjen e dytë shënoi fitore minimale 1:0 përballë skuadrës së Korona Kielce, që garon në elitën e futbollit polak.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Shaban Zenku në minutën e 90-të, teksa i njëjti në lojë ishte inkuadruar në minutën e 30-të në vend të Marjan Radeskit.
Takimin e sotëm trajneri Qatip Osmani e nisi me një formacion më ndryshe se ai i ndeshjes së parë.

PORTIERI STEVKOVSKI QËNDROI NË PORTË PËR GJATË 90 MINUTAVE
Në portë qëndronte Stevkovski, i cili në fund doli të jetë i vetmi që luajti për 90-të minuta. Në ndeshjen ndaj Debrecen një gjë e tillë ndodhi me mbrojtësin Ard Kasami, që sot në lojë u inkuadrua vetëm në pjesën e dytë.
Ndryshe, në mbrojtje para portierit Stevkovski, takimin e nisën, Ilievski, Spirovski, Radiç dhe Ristevski.
Në mesfushë dirigjoi dyshja strugane, Tairi-Bojku.
Hamza luante në krahë, njëjtë sikurse edhe Compaore, që ndihmonte dy bashkëlojtarët e sulmit, Radeski dhe Maleski.

FORMACIONI STARTUES vs KORONA KIELCE
Pikërisht Maleski kishte rastin më të mirë gjatë 45 minutave të para, që nuk prodhoi edhe shumë raste, ndërsa ashtu doli të jetë edhe pjesa e dytë.
Më së shumti loja përqnëdrohej në mesfushë, aty ku kishte shumë taktizime nga ana e të dyja skuadrave, teksa harkimet brenda zonës në shumicën e rasteve nuk gjenin përgjigjen e duhur nga ana e sulmuesve.
Megjithatë, kur menduam se edhe ndeshjen e dytë do e mbyllim me barazim pa gola, fiks në minutën e 90-të, pak para fërshëllimës së arbitrit kryesor, Shaban Zenku pas një super aksioni, me të majtën e tij shënoi golin e fitores.
Këtij goli i parapriu një super aksion, ku fjalën kryesore e pati kapiteni Bunjamin Shabani, që asistoi mu në momentin e duhur, duke i mundësuar Zenkut golin e parë në kuadër të përgatitjeve në Turqi.

KEHINDE NË NJË NGA AKSIONET E EKIPIT KUNDËR KORONA KIELCE
NESËR LUAJMË NDAJ GJIGANDËVE RUS TË RUBIN KAZAN
Mirëpo nuk kemi shumë kohë për pushim dhe për analiza, kjo pasi nesër na pret edhe ndeshja e tretë në Antalya të Turqisë dhe kuptohet një ndër ndeshjet më të forta. Përballë për herë të parë në historikun tonë do të kemi gjigandët rus të Rubin Kazan, një emër i njohur edhe në futbollin europian.
Vlen të theksohet se pjesë e kësaj skuadre janë edhe tre futbollistët shqiptarë, Mirlind Daku, Marvin Çuni dhe Dardan Shabahaxhaj.
Ndeshja Struga Trim Lum – Rubin Kazan do të zhvillohet në Belek me fillim në ora 15:00 sipas kohës tonë lokale, apo 17:00 me kohën e Turqisë.