Edhe pse për momentin skuadra ndodhet në pushim të merituar, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për drejtuesit e klubit tonë, që janë aktivizuar sërish në merkato.
Duke pasur parasysh nevojën për në repartin ofenziv, aty ku dy sulmuesit kryesor Ibraimi dhe Radeski, mund të thuhet se janë harxhuar shumë gjatë ndeshjeve europiane, por edhe atyre në fillim të kampionatit, drejtuesit në koordinim me trajnerin Shpëtim Duro kanë vendosur që të rifreskojnë këtë repart, duke sjellë në rradhët tona, sulmuesin nga Burkina Faso, Bassirou Compaoré.
Bëhet fjalë për një lojtar 25-vjeçar, i cili dy vitet e fundit i ka kaluar në futbollin spanjoll, duke luajtur për skuadrat e kategorisë së tretë dhe të katërt, derisa së fundmi mbante veshur fanellën e skuadrës së CF Talavera.
Ndryshe karrierën e tij e kishte nisur në vendlindje, te skuadra e Sonabel, për tu transferuar më pas në Maroko dhe në Tunizi, aty ku edhe kishte kaluar më së miri, si pjesë e skuadrës së Club Africain në Ligën e Parë, duke zhvilluar 50 ndeshje dhe duke realizuar 11 gola.
Pikërisht golat, janë ato që kërkohen nga ky futbollistë i gjatë 188 cm, me të cilin kemi nënshkruar kontratë një vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.