ZYRTARE, shtyhet ndeshja e xhiros së dytë kundër Shkëndijës

Pjesëmarrja e Struga Trim Lum në kupat europiane, ka ndikuar edhe në ndryshimin e orarit të ndeshjeve kampionale. Kështu ndeshja e xhiros së dytë kundër Shkëndijës në Tetovë, që duheshe të zhvillohet me datë 13.08.2023, është shtyrë për datë 30.08. 2023.

Mirëpo edhe kjo datë mund të pësojë ndryshim, gjithnjë nëse kalojmë kundërshtarin e nesërm Hesperange në kuadër të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës.

Me eliminimin e kampionëve të Luksemburgut, skuadra jonë do të luante në  “play-off”, ndeshjet e së cilës fazë janë caktuar të zhvillohen me datat 24 dhe 31 gusht.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme deri te Komisioni i garave pranë FFM-së kemi dërguar një kërkesë tjetër për shtyerjen e takimit të xhiros së tretë kundër Brera Strumica në Strugë, që sipas kalendarit të caktuar paraprakishit, në program është me datë 20 gusht.

Duke pasur parasysh se me datë 17 gusht zhvillojmë ndeshjen kthyese kundër Hesperange në Luksemburg, dhe se në Maqedoni rikthehemi vetëm gjatë ditës së premte, edhe atë në orët e pasditës, kemi kërkuar që të njëjtën ta zhvillojmë me datë 21 gusht, me qëllim  që skuadra të ketë të paktën dy ditë hapësirë për tu rikuperuar nga rrugëtimi, por edhe për të realizuar të paktën një stërvitje para ndeshjes me skuadrën nga Strumica.

Mbetet të shihet nëse do të marrim një përgjigje pozitive nga FFM dhe vetë skuadra e Brera Strumica, ashtu siç morrëm përgjigje pozitive nga Shkëndija e Tetovës.