Vlajkoviç, emri më i ri te Struga Trim Lum

I gjatë 1.78 metra, Vlajkoviç kryesisht luan në krahun e djathtë të mbrojtjes…..

Struga Trim Lum ka angazhuar mbrojtësin e krahut të djathtë, Nikolla Vlajkoviç. Bëhet fjalë për një futbollistë 28-vjeçar, i cili skuadrës tonë i bashkohet nga ekipi i Superligës së Serbisë, Radniçki Nish.

Ai skuadrës tonë iu bashkua direkt në Antalia të Turqisë, ndërsa pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit të kontratës, i njëjti doli edhe në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës.

I gjatë 1.78 metra, Vlajkoviç kryesisht luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, por gjithashtu ka provuar veten të luaj në disa raste edhe si mbrojtës i krahut të majtë. Ai përveç pjesës difenzive, mjaft mirë gjindet edhe në pjesën ofenzive, ku dallohet me harkimet e tij, por edhe aftësitë me topin në këmbë.

Në elitën e futbollit serb numëron afër 100 ndeshje, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar si pjesë e Novi Pazar.

Ndryshe bëhet fjalë për një futbollistë që ka dalë nga shkolla e Radniçki Pirot, nga e cila skuadër në vitin 2020 u transferua te Novi Pazar. Pikërisht këtu ishte ngritja e këtij futbollisti, i cili pas dy sezoneve të shkëlqyera me skuadrën nga Sanxhaku, u transferua te Radniçki 1923, ndërsa 6 muajt e fundit ishte pjesë e Radniçki Nish.

Ai gjatë stinorit vjeshtorë me këtë skuadër regjistroi gjithsej 15 paraqitje, dy prej të cilëve në kuadër të Kupës.