Vitin 2024 e mbyllim si kampion

Jemi në ditën e fundit të vitit 2024, aty ku brenda 365 ditëve zhvilluam gjithsej 39 ndeshje zyrtare, mes kampionatit, Kupës dhe Europës….

________________________________________________________________________________________________________________

Vitin 2024 po e përcjellim si kampion, me shpresë se këtë epitet do ta mbrojmë edhe në vitin 2025, që po na troket në dyer.

Ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti e kishim ndaj Rabotniçkit, kur në kuadër të sezonit të kaluar, në Shkup kishim barazuar pa gola. Barazimet na ndoqën edhe në dy ndeshjet e rradhës kundër FC Shkupit dhe Sileksit, por që pasoi një seri prej 4 fitoreve të njëpasnjëshme, që në fund ndoshta edhe u treguan si vendimtare për titullin kampion, që e vulosëm në ndeshjen direkte në Tetovë kundër Shkëndijës me datë 12 maj.

Në atë ndeshje spektakolare, ku vendosej titulli, luanët tonë zhvilluan një ndër ndeshjet më të mëdha të sezonit, duke triufmuar me shifrat 2:0, falë golave të Besart Ibraimit dhe Marjan Radeskit.

Fjalët motivuese të trajnerit Meriton Gega, që kishte zëvendësuar vetëm disa ditë më parë Shpëtim Duron, do mbahen mend gjatë kohë:

“𝐊ë𝐭ë  𝐥𝐨𝐣ë 𝐞 𝐟𝐢𝐭𝐨𝐣𝐧ë  𝐛𝐮𝐫𝐫𝐚𝐭…

𝐇𝐲𝐣𝐦ë 𝐬𝐢 𝐛𝐮𝐫𝐫𝐚, 𝐝𝐡𝐞 𝐥𝐞 𝐭ë 𝐝𝐚𝐥𝐢𝐦 𝐬𝐢 𝐛𝐮𝐫𝐫𝐚…”‼

Ishin këto fjalët e trajnerit Gega, që i dhanë krahë skuadrës, e cila vërtetë në atë ndeshje dëshmoi cilësi të lartë, duke luftuar burrërisht para triubunave të stërmbushura, që në fund na përcollën me duartokitje.

Ishte pikërisht ajo dita më e bukur e vitit 2024 për Struga Trim Lum, pasi edhe për herë të dytë rradhazi siguruam titullin kampion, të cilin edhe zyrtarisht e pranuam vetëm pas xhiros së fundit të zhvilluar kundër FC Shkupit në Strugë me datë 18 maj.

Në atë ndeshje Struga Trim Lum regjistroi një jubile, golin numër 200 në kuadër të ndeshjeve në Ligën e Parë, që ishte pjesë e kapitenit, Bunjamin Shabani.

Me këtë sukses të rradhës, ambiciet e drejtuesve tanë shtoheshin edhe më shumë, ashtu që të njëjtit nuk u kursyen fare në merkato.

Plotë 9 futbollistë të rinj, e mbi të gjitha edhe me trajner të ri, Qatip Osmanin, që këtë post e morri me datë 29 maj.

Ndër emrat më të bujshëm, ishin ai i Stefan Jevtoskit, dy reprezentuesve Stefan Spirovski dhe Kire Risteski, si dhe sulmuesit Lanre Kehinde.

Që të gjithë debutuan në ndeshjet europiane, mirëpo pa lënë shumë gjurmë. Do mbajmë mend atë eurgolin e Stefan Spirovskit të shënuar ndaj Pyunik në Ohër, gol ky që në fund na e siguroi fitoren e vetme në arenën europiane nga gjithsej 4 ndeshje, ku edhe njëherë tjetër rolin e goleadorit e luajti, Besart Ibraimi, duke realizuar 4 gola. Një gol tjetër për ekipin tonë në ndeshjet Europiane, realizoi edhe Bassirou Compaore.

1 fitore në 4 ndeshje, bënë që neve aventurën  europiane ta mbyllim shumë më herët se edicionin 2023/24, kur kishim arritur deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.

SEZONI 2024/25

Sezonin e ri e nisëm me këmbë të mbarë, duke regjistruar  dy fitore të njëpasnjëshme, mirëpo që u ndalëm që në xhiron e tretë, kur u mundëm në Shkup nga Rabotniçki.

Ishin këto shenjat e para të mos funksionimit të skuadrës ashtu siç pritej dhe pretendonim, teksa ndër disfatat më të rënda ishin ato në shtëpi nga FC Shkupi dhe Sileksi.

Pikërisht disfata 4:1 nga skuadra e Aleksandar Vasoskit, bëri që skuadra të reflektoj shumë shpejt, duke lidhur 6 ndeshje pa disfatë, që sërish na kthyen në garë për pozitat e sipërme në tabelën e klasifikimit.

Stinorin vjeshtorë e mbyllëm me fitore, duke mundur Voska Sport dhe duke mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e 5-të, me 5 pikë më pak se tre skuadrat kryesuese, Sileksi, Shkëndija dhe Rabotniçki.

KEHINDE GOLASHËNUESI MË I MIRË

Edhe pse skuadrës iu bashkua më së voni, nigeriani doli të jetë futbollisti më efikas gjatë stinorit vjeshtorë, duke arritur shifrën e 9 golave të shënuar në 17 ndeshje. Kur jemi tek golat, Bassirou Comapore renditet i dyti me 3 gola të shënuar, derisa nga dy gola të shënuar kanë futbollistët si Hristijan Maleski, Stefan Jevtoski dhe Sava Radiç. Nga një gol kanë shënuar 5 futbollistë, përfshirë këtu edhe Marjan Radeskin, sulmuesin më efikas të edicionit të kaluar.

Shpresojmë, që Radeski të shpërthejë në stinoron pranveror, aty ku skuadra do të jetë më e fortë edhe me kapitenin Bunjamin Shabani dhe mesfushorin strugan, Besmir Bojku, që të dy të dëmtuar rëndë.

Bojku ishte dëmtuar që edicionin e kaluar, derisa Shabani në ndeshjen e xhiros së katërt kundër AP Brera.

KRIVANJEVA, FUTBOLLISTI ME MË SHUMË MINUTA

Mbrojtësi Besart Krivanjeva me 1666 minuta rezulton të jetë futbollisti me më shumë minuta të kaluara në fushën e blertë (duke llogaritur vetëm kohën e rregullt, 90 min). Pas tij renditet Bojan Ilievski, sërish një tjetër mbrojtës, derisa futbollisti me më pak minuta është Jusuf Kaba, që kishte luajtur vetëm një minutë në ndeshjen e javës së katërt kundër AP Brera.

Nga gjithsej 29 futbollistë të regjistruar, 5 prej tyre nuk kanë marrë besimin e trajnerit.

Kur jemi tek fondi i futbollistëve, skuadrës i është shtuar Memetriza Hamza, mesfushori ofezniv i cili u prezantua gjatë ditës së djeshme. Me fubollistin tetovar, i cili na u bashkua nga rradhët e Bashkimit të Kumanovës, kemi firmosur kontratë 3 vjeçare. Hamza nuk do të jetë përforcimi i vetëm, pasi pritet që skuadrës ti bashkohet edhe ndonjë emër tjetër.

Për të gjitha lëvizjet brenda skuadrës do të ju informojmë me kohë përmes faqes tonë zyrtare.

Na ndiqni…