Trajneri Duro i kënaqur me fitoren ndaj Sileksit

Trajneri Shpëtim Duro doli i buzëqeshur nga takimi i fundit kundër Sileksit, ndaj së cilës skuadër, Struga Trim Lum regjistroi fitore 2:0. Kjo fitore ka kënaqur strategun tonë, kjo për më tepër nga qasja e futbollistëve për gjatë 90 minutave në fushë, por edhe për lëvizjen pozitive që kemi në tabelë.

“Një fitore shumë e rëndësishme, ndaj një kundërshtari  që kishe bërë mirë deri në këto momente. Jam i kënaqur me rezultatin, por  sigurisht edhe me lojën, nga fillimi e deri në fund kemi pasur kontroll të plotë të lojës, shënuam dy herë, ndërsa kishim edhe disa mundësi tjera për të shënuar edhe ndonjë gol tjetër. Kundërshtari nuk na rrezikoi fare, kjo edhe si rezultat i mënyrës së lojës tonë, shpirtit luftarak të skuadrës, sakrificës por edhe i kualitetit. Thjesht thënë jam i kënaqur me lojën që bëmë kundër Sileksit” – u shpreh trajneri Duro, i cili tashmë do të ketë në disponim më shumë ditë për të punuar me skuadrën, duke pasur parasysh se në kampionat pason pauzë për shkak paraqitjes së përfaqësueses futbollistike të vendit në eliminatoret për “Euro 2024”.