Kapiteni Ard Kasami është i bindur se skuadra e Struga Trim Lum mund t’ia dalë kundër Pelisterit, për të nisur sërish një rrugëtim të fitoreve të reja, që do na mbanin në vetë kreun e tabelës së klasifikimit…
Barazimi në fundjavë ndaj AP Brera në Strumicë ndërpreu serinë e fitoreve të skuadrës tonë, që nesër kundër Pelisterit do të kërkojë një rrugëtim të fitoreve të reja, që do na mbanin në vetë kreun e tabelës së klasifikimit.
“Padyshim që nesër do të futemi në lojë për të marrë pikët e plota. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe besoj se kjo do të ndikojë shumë pozitivisht edhe në qasjen e skuadrës në fushën e blertë nesër ndaj Pelisterit. Duke ditur rëndësinë e ndeshjes dhe pikëve që na nevojiten, besoj se përgatitjet që kemi pasur hapësirë për ti bërë në këto dy ditë, do të na mjaftojnë, që neve në fund të takimit të dalim kokëlartë.”
Barazimi në Strumicë ndaj AP Brera…
“Normalisht që nuk jemi të kënaqur me barazimin në Strumicë, mirëpo në futboll gjëra të tillë ndodhin. Jo çdoherë fiton më i miri do kisha thënë, pasi bazuar në lojën që treguam kundër AP Brera, nuk është se dështuam në këtë aspekt, por thjesht edhe fati na e ktheun shpinën. Shpresojmë që këtë herë fati të jetë në anën tonë, të marrim pikët e plota dhe të vazhdojmë luftën për kreun e tabelës së klasifikimit”.
Shiriti i kapitenit dhe pikët e grumbulluara….
“Është një kënaqësi e madhe të bartësh shiritin e kapitenit, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe, sidomos kur ke parasysh se je pjesë e një skuadre kampione, siç jemi ne. Mund të them lirisht se jam i kënaqur nga skuadra, pasi së bashku i’a arritëm qëllimit që të lëmë një periudhë të vështirë që kishim dhe të ringritemi dalëngadaë, edhe pse po të ishim pak më të kujdesshëm, besoj se në konto do kishim më shumë pikë. Mirëpo neve duhet të shohim vetëm para dhe të marrim maksimumin nga ndeshjet që na kanë mbetur”.